Fund i hidhur për një të moshuar që ishte rrëmbyer gabimisht. Trupi i 85-vjeçarit Chris Baghsarian është gjetur pranë Lynwood Golf, në veriperëndim të Sidneit, 11 ditë pasi ishte rrëmbyer nga shtëpia e tij në North Ryde. Policia beson se ai ishte viktimë e një ngatërrimi identiteti. Zbulimi u bë rreth orës 08:00 të mëngjesit të së martës, pasi anëtarë të publikut raportuan aktivitete të dyshimta në zonë. Sipas autoriteteve, trupi nuk u gjet brenda fushës së golfit, por në një pronë fqinje me bar të lartë dhe të papërdorur.

Kryeinspektori i Detektivëve të Policisë së NSW, Andrew Marks, deklaroi se një automjet i djegur tip Toyota Corolla gri, i lidhur forenzikisht me viktimën, ishte parë në zonë një ditë pas rrëmbimit. Automjeti ishte filmuar edhe në Dural dhe Westmead përpara se t’i vihej flaka më 16 shkurt.

Policia beson se rrëmbyesit e transportuan 85-vjeçarin nga North Ryde drejt Pitt Town natën e rrëmbimit dhe më pas u përpoqën të zhduknin gjurmët duke djegur makinën. Zona ku u gjet trupi u rrethua dhe një segment rrugor prej 400 metrash u bllokua për hetime, ndërsa ekspertët mjeko-ligjorë transportuan mbetjet mortore.
Hetuesit kishin bastisur më herët një pronë në Dural, ku dyshohet se viktima mund të jetë mbajtur dhe torturuar. Sipas raportimeve, rrëmbyesit kishin filmuar 85-vjeçarin me duar të lidhura dhe fytyrë të mbuluar, ndërsa nuk u paraqit asnjë kërkesë zyrtare për shpërblim ndaj familjes së tij.

  • foto galeri
  • foto galeri

Familja e përshkroi viktimën si “personin më të sjellshëm” dhe tha se po përjeton një makth të paimagjinueshëm. “Ai ishte një baba, vëlla, xhaxha dhe gjysh i përkushtuar që nuk do t’i bënte keq askujt”, thuhej në deklaratën e shpërndarë nga Policia e NSW. Sipas mediave lokale, objektivi i vërtetë i rrëmbimit mund të ketë qenë një i afërm i një figure me precedent penal, i cili banonte në të njëjtën rrugë me viktimën. Megjithatë, policia nuk ka dhënë ende detaje zyrtare mbi motivin e krimit. Autoritetet kanë premtuar se do të përdorin të gjitha burimet në dispozicion për të identifikuar dhe arrestuar personat përgjegjës për këtë krim tronditës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: