Trajneri i Realit, Arbeloa, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve para takimit të kthimit ndaj Benficas në Champions.
“Ashtu si skuadra ime është e fokusuar për të bërë një ndeshje të madhe, edhe unë jam. Nuk është hera e parë në karrierën e Mourinho-s që mungon në stol dhe ekipet e tij gjithmonë kanë pasur rendiment. Pres një Benfica të fortë, me disa rregullime pas ndeshjes së parë. Shpresoj të shohim një spektakël të madh… dhe që Real Madridi të fitojë.”
Sa i përket avantazhit të marrë në Lisbonë dhe ndeshjes në shtëpi, tekniku madrilen theksoi: “Dua të shoh një Real Madrid shumë të ngjashëm me atë të ndeshjes së parë. Do të jetë një mbrëmje e veçantë Championsi në ‘Bernabéu’. Ne do të hyjmë në fushë për të fituar dhe për të kaluar turin.”
Arbeloa foli edhe për gjendjen fizike të ‘yllit’ francez, Kylian Mbappé. “Është gati për të luajtur dhe kjo është më e rëndësishmja. Ka disa javë me lodhje, por dua të vlerësoj përkushtimin e tij. Është lojtar vendimtar dhe mbrojtësit e dinë se në çdo moment ai mund ta zgjidhë ndeshjen. Është i gatshëm dhe jam i bindur se do të bëjë një paraqitje të madhe.”
