Egnatia përgatitet për sfidën e radhës ndaj Partizanit këtë të shtunë, në një përballje që vjen në një moment delikat të sezonit. Dy ndeshjet e fazave të para mes këtyre skuadrave kanë qenë të ekuilibruara: një barazim pa gola dhe një fitore 2-1 për rrogozhinasit.

Megjithatë, faza e tretë paraqet një realitet tjetër, pasi kundërshtari ka pësuar ndryshime të rëndësishme në merkato dhe tashmë shfaq një tjetër fytyrë në fushë. Në përballjet e mëparshme, Egnatia arriti të ruajë ekuilibrin taktik dhe të shfrytëzojë momentet e saj, duke marrë katër pikë nga dy takime. Ndeshja e parë u karakterizua nga kujdesi i madh në prapavijë, ndërsa në të dytën skuadra tregoi efikasitet më të lartë në fazën sulmuese. Por situata aktuale është më komplekse. Partizani, pas afrimeve të reja dhe riorganizimit të brendshëm, nuk është më skuadra e dy fazave të para. Intensiteti, qarkullimi i topit dhe mënyra e ndërtimit të aksioneve kanë ndryshuar, duke e bërë analizën e ndeshjes më të thelluar dhe më të kujdesshme.

ANALIZA E TETOVËS – Trajneri Edlir Tetova po e përgatit skuadrën me vëmendje të shtuar, duke analizuar në detaje performancën e fundit të Partizanit. Burime pranë klubit bëjnë të ditur se fokusi kryesor është identifikimi i pikave të forta dhe dobësive të një rivali tashmë të transformuar. Puna analitike është përqendruar jo vetëm në skemat taktike, por edhe në rolin individual të lojtarëve që mund të bëjnë diferencën. Duke qenë se Partizani ka ndryshuar balancat në repartet kryesore, qasja e Egnatias pritet të jetë më pragmatike dhe e kujdesshme. Tekniku durrsak kërkon përqendrim maksimal në mbrojtje dhe në kontrollin e mesfushës. Objektivi është të kufizohet ndikimi i dy elementëve kyç të Partizanit, Sidibe dhe Hjumen, lojtarë që me lëvizjet dhe cilësitë e tyre mund të vendosin në vështirësi kampionët në fuqi. Neutralizimi i tyre shihet si një nga çelësat e takimit. Kjo nënkupton organizim kompakt, mbulim të kujdesshëm të hapësirave dhe disiplinë taktike në momentet e tranzicionit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb