Kim Yo Jong, motra më e vogël dhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, bëri një paraqitje publike në Kongresin e Partisë së Punës, pas një periudhe të gjatë mungese nga skena zyrtare. Ky ishte rikthimi i saj i parë publik në një aktivitet të këtij niveli, në një kohë kur në media kishin qarkulluar spekulime për një zbehje të rolit të saj në strukturat drejtuese.

Gjatë Kongresit, Kim Jong Un i besoi motrës një detyrë të re, duke e emëruar drejtoreshë të Departamentit të Propagandës të partisë. Deri më tani, ajo kishte mbajtur postin e zëvendësdrejtoreshës. Emërimi i ri shihet si një forcim i mëtejshëm i pozicionit të saj në hierarkinë e pushtetit në Phenian. Sipas raportimeve të mediave në Korenë e Jugut, Departamenti i Propagandës ka një rol kyç, pasi mbulon jo vetëm çështjet e komunikimit të brendshëm, por edhe aspektet që lidhen me marrëdhëniet ndërkoreane dhe strategjitë e politikës së jashtme.

Kim Yo Jong ka luajtur një rol të rëndësishëm politik dhe ushtarak që prej vitit 2011, kur Kim Jong Un mori pushtetin pas vdekjes së babait të tyre, Kim Jong Il. Ajo konsiderohet një nga figurat më me ndikim brenda rrethit të ngushtë të liderit. Promovimi i saj vjen pak javë pas raportimeve të shërbimeve të inteligjencës së Koresë së Jugut, sipas të cilave Kim Jong Un mund të jetë duke përgatitur vajzën e tij 13-vjeçare, Kim Ju Ae, si pasardhëse të mundshme.

Analisti dhe ish-zyrtari i regjimit të Koresë së Veriut, Ahn Chan Il, ka vlerësuar se ky promovim synon të forcojë kontrollin e Kim Jong Un mbi sektorë kyç të shtetit, duke ruajtur njëkohësisht ekuilibrin brenda familjes sunduese. Historia e tensioneve dhe spastrimeve brenda dinastisë Kim është e njohur. Në vitin 2013, Kim Jong Un urdhëroi arrestimin dhe ekzekutimin e xhaxhait të tij dhe ish-mentorit, Jang Song Thaek, me akuza për veprime “antikomuniste dhe fraksioniste”, duke konsoliduar pushtetin e tij në vitet e para të qeverisjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb