Protesta qytetare kundër kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e 83-të, me pjesëmarrësit që vijojnë të kërkojnë largimin e tij nga drejtimi i qeverisë.
Protestuesit u mblodhën në Tiranë dhe më pas marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përsëritur kërkesat e tyre.
Gjatë marshimit, qytetarët brohoritën kundër kryeministrit dhe qeverisë, ndërsa ndër thirrjet kryesore ishin “Edi Rama, jep dorëheqjen” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”; “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg”; “Poshtë patronazhistë”;
Protestuesit e cilësojnë qëndrueshmërinë e kësaj lëvizjeje si një shprehje të pakënaqësisë ndaj qeverisjes, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit.
Një tjetër moment i rëndësishëm i protestave ishte pjesëmarrja e Diasporës në Tiranë gjatë 14, 15 dhe 16 gushtit, kur qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit iu bashkuan tubimeve.
Në ditën e 83-të, protesta vijoi me pankarta, fjalime dhe marshim në bulevardet e kryeqytetit, ndërsa pjesëmarrësit përsëritën mesazhin e tyre për ndryshim politik dhe largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit.
