Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se e vlerëson Bill Clinton, por shtoi se ai dhe familja e tij janë shënjestruar politikisht, ndërsa Clinton dëshmoi për çështjen Epstein para Kongresit.

“Më pëlqen Clinton dhe nuk më pëlqen ta shoh atë të dëshmojë”, tha Trump për gazetarët, pak para nisjes për në Teksas në një udhëtim të planifikuar. Megjithatë, ai shtoi: “Ata shënjestruan mua dhe familjen time”.

Deklaratat e Trump erdhën në të njëjtën ditë kur ish-presidenti amerikan Bill Clinton dëshmoi para Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve në lidhje me rastin e Jeffrey Epstein.

Gjatë deklaratës së tij hyrëse, Clinton theksoi se nuk kishte pasur dijeni për asnjë aktivitet të paligjshëm nga ana e Epstein gjatë kontakteve të tyre, të cilat  sipas tij kishin qenë të kufizuara.

Ai deklaroi se ishte paraqitur për të dëshmuar për dy arsye kryesore: respektin për sundimin e ligjit dhe parimin se askush nuk është mbi ligjin, si dhe për të kontribuar në administrimin e drejtësisë dhe mbështetjen për viktimat.

Clinton theksoi se njohja e tij me Epstein kishte përfunduar vite përpara se të zbuloheshin veprimet kriminale të financierit.

Duke iu referuar fotove të publikuara ndër vite, Clinton u shpreh se “e di se çfarë ka parë dhe çfarë nuk ka parë” dhe këmbënguli se nuk kishte bërë asgjë të dënueshme.

Ai reagoi gjithashtu ndaj thirrjeve për përfshirjen e tij në hetim, duke deklaruar se nuk kishte pasur “asnjë lidhje” me Epstein përtej kontakteve të njohura publikisht, nuk kishte udhëtuar me të dhe nuk kishte vizituar pronat e tij.

“Nëse do të kisha pasur dyshimin më të vogël për atë që po bënte, jo vetëm që nuk do të kisha fluturuar me avionin e tij, por do ta kisha denoncuar vetë dhe do të kisha udhëhequr përpjekjet për drejtësi për krimet e tij”, tha ai.

Clinton pranoi se në disa raste është përgjigjur me “nuk e mbaj mend”, duke theksuar se nuk dëshiron të spekulojë për ngjarje të ndodhura dekada më parë, veçanërisht nën betim.

Në përfundim, ai deklaroi se ishte i gatshëm t’i përgjigjej çdo pyetjeje të Komitetit, “ligjore, të arsyeshme apo edhe ekstreme”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb