Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 goditi ishullin Flores në Indonezi, duke shkaktuar të paktën 53 viktima dhe zhvendosjen e rreth 5,000 personave. Lëkundjet e forta, të regjistruara në një thellësi prej vetëm 15 kilometrash, u pasuan nga 341 lëkundje të tjera.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB), më shumë se 900 shtëpi dhe qindra ndërtesa të tjera janë dëmtuar rëndë. Provinca Manggarai është ndër zonat më të prekura, ndërsa viktima janë raportuar edhe në East Manggarai, Sikka, Ende, Nagekeo dhe West Manggarai.
Mijëra banorë janë evakuuar, ndërsa 36 persona kanë pësuar plagosje të rënda dhe 77 të tjerë lëndime të lehta. Autoritetet vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa përmasat e plota të dëmeve ende nuk janë përcaktuar për shkak të terrenit të largët dhe malor.
Tërmeti ka dëmtuar gjithashtu dhjetëra shkolla, qendra shëndetësore dhe institucione qeveritare. Në Spitalin Rajonal të Rutengut, shembja e tavaneve të sallës së operacionit dhe klinikës ka detyruar stafin të trajtojë pacientët në ambiente të improvizuara.
Pamje të publikuara nga porti i Maumere tregojnë momentin kur pjesë të mëdha betoni u shkëputën nga ndërtesa e terminalit, ndërsa pasagjerët prisnin të hipnin në traget. Disa persona u hodhën në det pasi u shemb shtegu i një anijeje.
Autoritetet indoneziane kanë nisur dërgimin e ndihmave dhe furnizimeve emergjente për banorët e prekur. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për të mbijetuarit, ndërsa banorët në disa zona janë zhvendosur drejt kodrave, të shqetësuar edhe nga lëvizjet e detit pas tërmetit.
Indonezia ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit, një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik. Ndërkohë, autoritetet raportuan edhe një tjetër tërmet me magnitudë 6.9 në një pjesë tjetër të vendit.
