Ndodh si gjithmonë në Shqipëri. Mjafton të kemi një ngjarje dhe shqiptari do kuptojë se i gjithë sistemi përkatës nuk funksionon. Pastaj nis ‘punën’ media, thirren specialistë dhe në morinë e probleme që dalin, kupton se pjesa e çdo individi, por më shumë e atyre që drejtojnë, lë shumë për të dëshiruar sa i përket përgjegjësisë ndaj vendit.
Po shtetformimi bëhet çdo ditë. Dhe, ky koncept i fundit, nuk është i ngjashëm me Kosovën, ku shtetformimi lidhet me ndërtimin dhe pjekurinë e institucioneve dhe njohjen e saj me të drejta të plota në institucionet ndërkombëtare, por në atë sesa i shërbejmë shtetit tonë sot dhe në\e për të ardhmen. Infrastruktura e vendit i ka treguar në masë këto probleme, jo thjesht në cilësinë e punimeve; njerëzit që i marrin përsipër punimet; por edhe në konceptin sesi punohet për punime afatgjatë; si dhe idetë për zhvillimin e rajoneve të vendit. Faji rëndon kryesisht mbi elitat drejtuese të vendit dhe bashkë me këtë dhe perceptimin e publikut për zgjidhjen e atyre që do i drejtojnë. Materializmi po e lodh Shqipërinë dhe studiuesit e lidhin faktin me aspekte historike, trashëgiminë e institucioneve të dobëta demokratike, situatat e trazuara ekonomike dhe prirjen historike për ta mjelë shtetin për përfitimi personal. Rasti i vendit tonë është i tillë dhe këtë e provon antropologjia e korrupsionit, mosllogaridhënia, makutëria etj.
Shembujt e dobësisë, pakulturës dhe mungesës së menaxhimit që vinë rëndom nga pushteti lokal, nuk kanë fund, kurse mënyra sesi është i organizuar vendi, por sidomos politikanët që e drejtojnë vetëm japin argumente për pangopjen. Gati 90 vite të shkuara, një nga burrat e mençëm të vendit që do ta pushkatonim, në agun e Luftës së Dytë Botërore, Patër Anton Harapi shkruan me tone keqardhje një shkrim. Quhet “Idealista pa ideal” dhe mënyra sesi e shikon vendin është vërtetë e trishtë. Jemi në një kohë (1936) që Shqipëria megjithë prapambetjen po futet në botën e vendeve që e kërkojnë zhvillimin. Njësoj si sot mbi krye t’botës janë mbledhur retë e luftës. “Qe sa i a mrrìjtem edhe ksajë: Politika shtini nder gjire të veta-pothuej-të gjitha lamijet e jetës nierzore. Sod nuk kemi vetëm politikë shtetnore e kombëtare: politika ka depertue në jetën shoqnore, ekonomike etj., etj., hìni dér në kulturë e matet t’a bájë per veti edhe jetën morale.
Kjo asht nji punë e vërtetë, se nierzt sod nuk po merren vesht shoq me shoq mbi kuptimin themeluer të jetës, në daç si vehtje, në daç edhe si kolektivitet; e pra ditunija socjologjike e etike ka mrrijtë në nji zhvillim të mrekullueshëm.
Qe sod, problemi i jetës asht vu, por kush asht burrë t’a zgjidhë?Kta pra don me thanë, e as shkenca, as teknika nuk mjaftojn. Ata të cillt i kanë dalë zot, udhëhjeksat, organizatorët, njerzt në fuqi duen të nisin prej nji parimi, prej parimi politik, kah ata vetë e dijn se nuk hecë. Ky ásht kontrasti rrotullues i shoqnìs nierzore”.
Një koleg (Gjergj Erebara) ka shpjeguar së fundi mënyrën edhe logjikën e ndërtimeve të rrugëve, duke futur brenda historisë shumë shekullore të zhvillimit të infrastrukturës, sidomos atë që ndodhi pas viteve 2000. Segmentet e ndryshme rrugore nga Rrogozhina për në Elbasan, Librazhd, Qukës e Qafë-Thanë u ndërtuan nga kompani të ndryshme. Dhe, përmend sesi një kompani që po ndërtonte segmentin Rrogozhinë – Elbasan, “pati ngasjen të përdorte gurët e Lumit Shkumbin për të kursyer paratë. Arsyeja se pse rrugët dhe ndërtesat e tjera romake prej guri kanë mbijetuar për më shumë se dy mijëvjeçarë duket se ka të bëjë me njohjen e ligjeve të fizikës nga ana e ndërtuesve. Guri mund të thyhet, por ai nuk mund të ngjeshet. Volumi i tij është konstant”. Shpjegimi që jep më pas autori është i thjeshtë por shumë domethënës: “Drejtorët e rrugëve në Shqipërinë e tranzicionit kanë qenë historikisht të emëruar politikë, shpesh pa lidhje me zanatin e ndërtimit të rrugëve, por nga vitet 2000, zakonisht zëvendësdrejtorët mbaheshin zanatçinj të fushës. Dhe njëri prej këtyre zanatçinjve i shpjegoi autorit të këtij shkrimi këtë ligjin e dytë të ndërtimit të rrugëve: “Gurët e lumit janë të rrumbullakët dhe janë të lëmuar. Koeficienti i tyre i fërkimit është i ulët”.
Me pak fjalë, nëse ndërton shtratin e rrugës me gurë lumi, pesha e vetë rrugës si dhe pesha e makinave që kalojnë sipër saj, do të shtyjë gurët jashtë shtratit, duke dëmtuar rrugën. Kjo është arsyeja se pse, si në kohën e Egnatit, ashtu edhe në kohën tonë, gurët e malit, të thyera me makineri të posaçme, (ose me krahë skllevërish në rastin e Romës së Lashtë), kanë shërbyer për t’u përdorur për të ndërtuar rrugë jetëgjata”, – shkruan ai.
Autori i këtij shkrimi ndoqi një logjikë tjetër, por duke respektuar këtë herë njerëzit e gjeologjisë, ata që tashmë i kanë çuar në harresë. Një syresh në moshë shumë të thyer, që për etikë nuk po ia përmendim emrin dhe që ka drejtuar Gjeologjinë shqiptare e tregon situatën se problemi i tanishëm i udhës së juglindjes është se kur ka rrëshqitje të tilla, ato do të ndodhin sërish. Ndaj duhen parë me kujdes punimet historike dhe mësimet për to, anipse mania për të fituar tashmë është më shumë sesa bezdisëse e makutëria për të fituar nuk njeh më limite. “Është një luginë që është shumë e ngushtë. Që nga Librazhdi deri në Prrenjas kemi shkëmbinj që quhen Mariaçe. Janë shumë poreze, që thërrmohen dhe të kuq. Janë formacion i paqëndrueshëm. Por më kryesorja është se nuk kanë përgatitur fare specialistë. Eksperiencë për rrugë të tilla alpesh kanë Zvicra, Italia, Austria por edhe Franca. Mos harroni se: Gjeologjia Inxhinierike është nga më të vështirat si degë. Janë thjeshtë firma që kanë Lek, por nuk e kanë idenë fare për këto punë”. E kujtoj profesorin, por kujtoj mbylljen e veshëve, si edhe kolegët e mi që në “respekt” të personazheve si ai e mbyllën “Autor” në RTSH.
Eksperienca e këtyre njerëzve vërtetë “nuk duhet”. E besoj profesorin dhe kujtoj se edhe një rrugë e ndërtuar me 300 milionë euro e pësoi këtë fat. Për mënyrën sesi bëhen rrugët, abstragoj nga përgjimet e SPAK, ku ndërtuesit janë dhe projektues edhe supervizorë, e madje edhe certifikues të veprave, që ndërtojnë vet! Epilogu: Mjafton një tepri e kohës që duhet të shërbente si provë e qëndrueshmërisë dhe ato shqepen, si të bëra me bukëpeshku. Përveç, aksit të rëndësishëm, e pësoi kartodromi, e pësoi udha drejt Ersekës dhe specialistë mund të numërojnë dhe të tjera. Ndaj, këta të fundit, tashmë u ka mbetur thjesht të ofshajnë. Askush nuk i pyet më dhe ata bëjnë më të thjeshtën. Largohen. Shqipëria renditet në vendin e tretë për emigracionit e popullsinë e arsimuar në vitet 2023-2024 krahasuar me 38 vende të Rajonit të BERZH-it. Hidhësinë e shifrave e kupton kur lexon se pas Shqipërisë renditen Bosnja, Palestina vende që kanë qenë të prekura sistematikisht nga luftërat! Dhe, faktin se mbi 23% e të arsimuarve shqiptarë kanë emigruar në 2023-2024, ku vetëm 2-3% e tyre rikthyer. Kjo i jep Shqipërisë një nga anomalitë më të larta mes ekonomive të EBRD-së. Idealistët e Shqipërisë nuk e pikasin dhe madje s’e ndjejnë dot rritjen ekonomike, rritjen e pagës mesatare, amnistitë fiskale, sepse vendi e ka harruar respektin për ta.
Materializmi dhe makutëria po e mbyt vendin tonë. Sërish po kthehemi tek Patër Anton Harapi. Tek i njëjti shkrim, shkruan për ata që nuk nginjen: “Jeta moderne, koha e jonë, analizue mirë, në fund të fundit, ásht materialiste padyshim. Qe ktû ásht ndeshja e krizeve: Udhëheksjat e soçëm duen të jenë idealista materialist. Dy ide të pashoqnueshme, dy punë të papërkueshme, dy skaje të kundërta, qi ndryshojn e rrin larg sa qiell e dhé. Idealista pa ideal, pse në fund të fundit materjalista”. Po pse nuk ndryshojmë vallë? Patër Anton Harapi nuk e gjeti dot përgjigjen. Një dekadë më pas po e priste plumbi. Ai që mund ta dojë rravgimin e tij me të gjerë e gjen tek “Hylli i Dritës”, XX , 1936./ Homo Albanicus
