Kreu i PD Sali Berisha deklaroi në konferencën e tij për mediat nga selia blu se deputetët e opozitës kanë shprehur vendosmërinë e tyre për të shkuar në grevë urie, duke iu referuar deklaratave të tyre për reagimin në rast se Parlamenti nuk do të heqë imunitetin e Belinda Ballukut, për të cilën SPAK kërkon arrestimin.
Sipas tij asnjë aksion nuk përjashtohet, por gjithçka duhet të ndërmerret në momentin e duhur, ndërsa theksoi se fjala e sovranit është çështja më kryesore.
“E vërteta është se deputetët prej kohësh kanë shprehur vendosmërinë që të kalojnë edhe në akte sublime, grevë urie dhe asgjë nuk përjashtohet. Por, gjithçka, cdo hap duhet të ndërmerret në momentin e duhur. Mendoj se fjala e sovranit është çështja më kryesore në rendin e ditës. Kjo që po ndodh me shqiptarët është e pashembullt në histori. Kujtojmë vetëm kaq, një njeri që 6 muaj rresht u premteoi shqiptarëve integrimin në vitin 2027 dhe 2030, tani që është kapur me presh në dorë si hajdut, u thotë se nuk kemi nevojë për integrim të plotë. Edhe një herë për qytetarët, argati i Vuçiç, Edi Rama, dhe padroni i tij Vuçiç, këta dy krerë të organizatave krminale i sugjerojnë BE-së që t’u akordojë vetëm tregtinë e lirë dhe fondet e procesit të rritjes dhe se këta nuk kërkojnë as votë, nuk pranojnë të plotësojnë kriteret e Kopenhagenit”, tha ai.
