Qytetarët izraelitë po përpiqen të ruajnë normalitetin mes alarmit të vazhdueshëm nga sulmet me raketa dhe dronë të lëshuara nga territori iranian. Nën tingujt e pandërprerë të sirenave, shumë prej tyre janë strehuar në hapësira të sigurta, duke i kthyer parkingjet nëntokësore dhe strehimoret në “shtëpi të dyta”.

Fotot e publikuara nga Reuters tregojnë dhjetëra qytetarë që, mes pasigurisë, gjejnë mënyra për të vazhduar jetën e përditshme. Në një parking nëntokësor në Tel Aviv, i përshtatur si strehë bombash, një burrë mbështillet me tallit )shallin tradicional të lutjes hebraike) gjatë lutjeve të mëngjesit, në prag të festës së Purimit.

Megjithëse Izraeli, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, është përfshirë në një përballje ushtarake me Iranin, qytetarët përpiqen të ruajnë qetësinë dhe besimin. Në strehimore shihen familje që kanë ngritur tenda të improvizuara, të tjerë që qëndrojnë pranë kafshëve shtëpiake, miqve dhe të afërmve, duke ndarë momente solidariteti.

Pavarësisht rrezikut, festa e Purimit nuk ka kaluar në heshtje. Të rinj të veshur me kostume shumëngjyrëshe festojnë në mënyrën e tyre, duke përkujtuar shpëtimin e hebrenjve të Persisë nga një plan shfarosjeje, siç rrëfehet në Librin e Esterit. Pamje të tjera tregojnë besimtarë që mbajnë Librin e Esterit dhe luten me përkushtim, ndërsa në disa video dëgjohen të rinj që këndojnë “I Will Survive”, në një shprehje simbolike të qëndresës dhe shpresës përballë pasigurisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb