Komisioni për Legjislacion ka kaluar amendamentet e presidentes Vjosa Osmani për ndryshimin e mënyrës se si zgjidhet presidenti i vendit.
Pas një debati të nxehtë, amendamentet për ndryshime kushtetuese që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votat e popullit, u miratuan me 6 vota për dhe 2 kundër.
Kjo nënkupton se këto amendamente tani mund të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për t’u hedhur në votim.
Për të hyrë në fuqi, këto amendamente apo ndryshime kushtetuese, duhet të votohen nga dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet pakicë.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amandamentet për zgjedhjen e drejtpërdrejt të Presidentit.
Në uebfaqen e Kuvendit është konfirmuar se seanca e jashtëzakonshme plenare është planifikuar të nisë në orën 20:00, ndonëse seanca nuk ka nisur akoma.
Amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani dhe të miratuara në Komisionin Parlamentar për Legjislacion parashohin të ndryshojnë mënyrën se si zgjidhet presidenti i Kosovës.
Këto ndryshime parashohin të ndryshojnë në tërësi Nenin 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Kosovës.
Amendamentet parashohin që presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, përmes votimit, dhe që zgjedhjet presidenciale të shpallen nga kryetari i Kuvendit, jo më vonë se 6 muaj para se të përfundojë mandati i presidentit aktual.
Sipas amendamenteve, nëse asnjëri nga kandidatët në rundin e parë të garës zgjedhore nuk arrin të marrë shumicë absolute prej më shumë se 50 për qind të votave të popullit, mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve midis dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave herën e parë dhe kandidati që merr më së shumti vota në rundin e dytë zgjidhet president i Republikës së Kosovës.
Po ashtu, parashihet që të shtohet një nen i ri, i cili mundëson që mandati i presidentit aktual, që është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, të vazhdojë derisa presidenti i ri të zgjidhet dhe të bëjë betimin.
Amendamentet parashohin po ashtu mundësinë që të garojnë në zgjedhje presidenciale edhe ish-presidentët që kanë shërbyer para se të bëheshin këto ndryshime.
Presidentin e zgjedhur nga populli nuk mund ta shkarkojë Kuvendi, por organi ligjvënës mund ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese peticionin për shkarkimin e tij, sipas amendamenteve.
