Formula 1 ka ndezur dje zyrtarisht motorët për Botërorin 2026, teksa në orët e para të mëngjesit u mbajtën dy sesionet e provave të lira për Çmimin e Madh të Australisë. Një sezon që vjen me revolucion në rregullore, ndërsa menjëherë tërhoqi vëmendje Maks Vershtapen, një kritik i hapur për ndryshimet në F1.
Pamja e holandezit duke humbur kontrollin dhe duke shpërndarë pjesë të makinës ndërsa kalonte mbi zhavorrin e një kthese nuk ka qenë e zakonshme që nga vitet e tij të para te Red Bull Racing. Në vitet e fundit, gabime të tilla mund të numërohen me gishtat e një dore, por në provat e lira në Australi ai e mbylli sesionin para kohe, pasi nuk arriti të kontrollonte makinën e tij.
Maks ka shprehur tashmë pakënaqësinë e tij me këto makina dhe me stilin e ri të drejtimit, i cili kërkon kursim në zona që bëjnë diferencën mes pilotëve, si për shembull heqja e këmbës nga gazi para një kthese të shpejtë. Ai gjithashtu ka lënë të kuptohet qartë se nuk do të vazhdojë edhe për shumë vite në Formula 1, sepse ka në mendje projekte të tjera dhe kërkon të shijojë më shumë kohën me familjen. Në sesionin e parë të provave të lira në Australi, ai luftoi për kohën më të mirë me dyshen e Ferrarit, Sharl Lëklerk dhe Luis Hamilton.
Por në sesionin e dytë të ditës, fillimisht hasi një problem besueshmërie dhe më pas pësoi aksidentin. Ndërkohë, shfaqja e makinave të Mercedes me më shumë fuqi, me Oskar Piastrin e MekLarenin në vend të parë dhe Andrea Kimi Antoneli e Xhorxh Rasëllin pas tij, e la pilotin e Red Bullit në vendin e gjashtë, pozicione që nuk i pëlqejnë aspak. Vershtapen nuk është nga ata pilotë që janë në Formula 1 vetëm për të luftuar për podiume.
Fundjava në Melburn i sheh pilotët në orët e para të mëngjesit të së shtunës (02:30) për sesionin e tretë të provave të lira, ndërsa në orën 06:00 do të nisën kualifikueset. Çmimi i Madh i Australisë do të startojë të dielën në orën 05:00.
