Mazhoranca socialiste ka dalë kundër kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke argumentuar se një masë e tillë nuk është e domosdoshme në këtë fazë të hetimeve.

Ulsi Manja në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, deklaroi se shumica parlamentare do t’i rekomandojë seancës plenare rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se hetimet mund të vazhdojnë edhe pa heqjen e imunitetit dhe se çështja tashmë i takon drejtësisë.

Ai ka shtuar se çështja Balluku tashmë i përket drejtësisë, megjithatë ka akuzuar SPAK se po vepron me dy standarde pasi në rastet e tjera hetimet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera janë kryer pa asnjë masë sigurimi personal.

Ulsi Manja: Në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës, 260,288 dhe 289 të Procedurës Penale, ne si anëtarë të shumicës parlamentare në Këshillin për Mandatet i rekomandojmë seancës plenare e rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit të heqjes së imunitetit për Ballukun. Nuk rezulton të jenë evidentuar domosdoshmëri për marrjen e një mase të tillë. Rekomandimi nuk pengon SPAK të vijojë hetimet, ka një masë sigurimi personal, pengimi nga dalja jashtë vendit, që lejon vijimin e procedimit penal. Dhe ne këtë e konsiderojmë një çështje që tashmë i takon drejtësisë, por masat e sigurimit personal nuk lidhen me ekzistencën ose jo të veprës penale. Të presim përfundimin e hetimeve. Jo më kot e lash në fund dua të sjell në vëmendjen e grupit që nga raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, të SPAK, evidentohet qartë se për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera ka praktikë të konsoliduar për hetim pa masë sigurimi personale. Ka të bëjë me standardet e hetimit për këtë vepër penale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb