Ku ishim ne, kur në çdo fshat të Gjermanisë, kishte një stacion treni për të çuar në Dahau fëmijë? Nga cepi i skenës, Jeningu, ish-jurist, gjyqtar e ish ministër drejtësie, i thotë sallës dhe të vetëve, se nëse askush nuk dinte gjë çfarë po ndodhte, kjo ishte sepse nuk donin të dinin. Skena, përsëritet me ndoca ndryshime, në kohë e vende të tjera.
Fëmijë e gra që shkojnë drejt vdekjes, urisë dhe vrasjes, padrejtësi dhe vendime në emër të kombit, atdheut, epërsisë dhe së drejtës. Nën titullin “Drejtësi në Nuremberg”, regjisori Arben Kumbaro i jep jetë pjesës së Abby Mann, që duke trajtuar gjyqet historike, vë në peshore edhe historinë e personazhet e saj, pa asnjë pikë mëshire. Por përse tani? Sepse e djathta ekstreme ka marrë revansh, ndaj ajo që nis duke marrë shkas te gjyqet ndaj nazistëve i flet të sotmes.
“Kjo është pyetje retorike. Ka 6-7 vjet që ka një rikthim të së djathtës ekstreme në Evropë. Ka gjithmonë e më tepër thirrje për luftë dhe konflikte sociale. Një personazh në fund të pjesës thotë se po lind një rend i ri botëror, dhe këtë frazë e lexojmë çdo ditë në gazeta”, thotë Arben Kumbaro.
Është e pamundur që ndërsa sheh personazhet; një palë të gjykojnë e një palë të mbrojnë nazizmin- të mos mendosh për -izmat e tjerë ideologjikë. Paralelizmat bëhen edhe për komunizmin në Shqipëri, për dënime po aq në emër të atdheut, kombit e drejtësisë dhe për çdo kohë, kur drejtësia bëhet vegël e pushtetit me apo pa vetëdije.
“Ka shumë momente të ngjashme me historinë e para 50 viteve të Luftës së Dytë Botërore dhe të pasluftës. Ky ishte ngacmimi kryesor për t’i folur realitetit. Por ka edhe një reflektim më të thellë për historinë tonë me komunizmin. Asnjëherë nuk kemi qenë të bindur se kemi mbajtur qëndrim të drejtë moral ndaj asaj periudhe dhe i jemi borxhlinj këtij populli për drejtësi”, tha regjisori Kumbaro, ndërsa shfaqja përfshin eksode, duar e enë boshe të drejtuara për nga sytë që nuk shohin.
Me pothuaj 20 artistë në skenë, “Drejtësi në Nuremberg” na vë përballë përgjegjësisë që kemi si shoqëri, jo vetëm për veprimet tona, por edhe për heshtjen tonë. Për atë që nuk shohim e për atë që refuzojmë të shohim, në emër të përfitimit personal, partiak apo atij të grupimit që i përkasim. Sepse siç thonë personazhet, korruptimi ynë nis me vendimin e parë kundrejt një të pafajshmi dhe ndërsa bota është kthyer në shesh betejash, Kumbaro, në emër të artit paralajmëron për gjyqet e së ardhmes për atë që ndodh sot:
“Gjërat po ndodhin shumë shpejt sot në botë. Çdo ditë dëgjojmë lajme për luftëra, për bomba, për masakra e gjenocid. Ne po flasim për një gjenocid atje, por në fakt historia na kujton se këto tragjedi mund të përsëriten nëse nuk reflektojmë”.
Shfaqja “Drejtësi në Nuremberg” na sjell një skenë gjyqi, ku secili ruan një pozicion, por ndokush, edhe i hap sytë në një mea culpa- ku kuptojmë se si ata që ëndërronin një botë pa armë, përfundojnë të drejtojnë tytën drejt nesh.
