Veriu i Shqipërisë rrezikon të mbetet i izoluar, për shkak të dëmtimeve të shumta të urës së ngritur mbi lumin Mat në autostradën Milot-Lezhë. Siç shihet edhe përmes këtyre pamjeve të siguruara nga News24, këmbët e urës kanë pësuar dëmtime serioze, çka ka ngritur shqetësim tek ekspertët dhe banorët e zonës për sigurinë e udhëtarëve.

Eksperti i mjedisit, Jak Gjini sqaron se devijimi i rrjedhës së lumit dhe gërryerjet pa kriter po prishin balancat natyrore dhe po rrezikojnë jo vetëm këtë urë, por edhe struktura të tjera mbi lumin Mat, përfshirë edhe Urën e Zogut. Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk ndërhyhet në kohë, rrezikohet stabiliteti i urës dhe qarkullimi në këtë aks të rëndësishëm rrugor.

Banorët e zonës thonë se kjo situatë problematike vazhdon prej vitesh, ku mbi 20 kompani operojnë në këtë zonë për nxjerrjen e inerteve nga lumi, duke rritur rrezikun për dëmtimin dhe shembjen e urave. Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe pak muaj më parë me Urën e Milotit, qarkullimi në të cilën u mbyll plotësisht më 24 korrik 2025, duke shkaktuar paralizim të trafikut në Lezhë dhe ngërç në sektorin e turizmit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: