Deputeti i PD Enno Bozdo u shpreh sot në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat se lejet e dhëna për parqet fotovoltaike nuk janë të mirë studiuara dhe mund të çojnë deri në black out.
Ai u shpreh se lejet pa kriter që po jepen në këtë fushë do të kthehen në barrë për sistemin e shpërndarjes.
“Sa për energjinë e rinovueshme ju them se një ndër arsyet pse për fat të mirë sot në strukturën e prodhimit të energjisë rreth 55 përqind prodhohen nga korporata dhe 45
nga privatët ishte reforma që bëmë ne me PPP për futjen në treg të kapitalit privat kur risku transferohej i gjithi tek prodhuesi jo tek shteti, që sot të kishim energji të rinovueshme,. Arsyeja pse nuk ka pasur shumë interes për industrinë e mullinjve me erë ishte se nuk ishte rentabël, sot është.
Me rishikimet që i keni bërë ju çështjes së kontratave dëmtuat rëndë kontratat, cënuat sigurinë juridike dhe bëtë që të largoheshin shumë investitorë sepse klimën e investimit e quanin të pa përshtatshëm.
Nëse mendoni se po i bëni nder qeverisë dhe shtetit me lejet pa fund të fotovoltaikëve e keni gabim sepse do ju kthehet në barrë të jashtëzakonshme për sistemin e shpërndarjes. Jepen leje pa plan investimesh të mirëfillta që kjo energji që prodhohet të absorbohet nga rrjeti. Jeni në kakofoni totale, kush ka para për të shpenzuar nuk i hedh më në ndërtim, sepse ai sektori është në rënie, por kërkon që pas pallatit të ndërtojë edhe një park fotovoltaik. Janë të pakta lejet në mos asnjë që parqet shoqërohen me detyrimin për kapacitet baterish sepse janë problematike për absorbimin që mund të sjellë më pas edhe black out-e”, tha ai.
