Politologu Ermal Hasimja, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te qëndrimi i kryeministrit Edi Rama ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin.

Sipas tij, mbështetja e Ramës ndaj Ballukut nuk lidhet vetëm me këtë rast konkret, por synon të vendosë një precedent që të pengojë situata të ngjashme edhe në të ardhmen.

“Rama ka vendosur të mbrojë Ballukun dhe të vendosë një precedent pengues dhe bllokues që kjo të mos ndodhë edhe në të ardhmen, sepse ky është shqetësimi më i madh. Ajo që po bën Rama është të fitojë kohë dhe të gjejë mënyra për ta ngurtësuar këtë edhe përmes zhvillimeve ligjore”, u shpreh ai.

Ai shtoi se qëndrimi i Partisë Socialiste është i qartë, pasi sipas tij mazhoranca po garanton mbrojtje politike për Ballukun në Kuvend.

Hasimja theksoi gjithashtu se rezistenca ndaj hetimeve ka nisur që më herët, duke argumentuar se në raste kur ka akuza dhe prova, dorëheqja e zyrtarit është zakonisht hapi i parë.

“Rama nuk po mbron vetëm Ballukun. Nëse do të ishte një rast i zakonshëm, ai do ta kishte lëshuar si të tjerët. Por në këtë rast po mbron edhe veten”, deklaroi ai.

Sipas tij, mund të ketë elemente në çështjen e Ballukut që e vendosin Ramën në një situatë më të ndërlikuar krahasuar me raste të tjera të zyrtarëve socialistë që janë përballur me drejtësinë.

Ai shtoi se mund të ekzistojë edhe një marrëveshje mes Ramës dhe Ballukut për ruajtjen e ndikimit të saj në qeveri, duke përmendur emërimet e disa figurave të afërta me të në poste të rëndësishme.

“Besoj se ka një marrëveshje ose pazar mes Ramës dhe Ballukut për të ruajtur pushtetin e saj në qeveri. Balluku nuk e ka mbrojtur veten ndryshe nga të tjerët dhe duket se po përgatitet për një betejë të gjatë ligjore”, tha Hasimja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb