Gazetari Almer Toska, i ftuar në studion e News24, ka reaguar ashpër lidhur me atë që e cilësoi si një “sulm të paprecedentë” nga administrata tatimore ndaj bizneseve të lidhura me Hysenbelliu Group, duke pretenduar se veprimet lidhen me investigimet e mediave të lidhura me grupin.
Gjatë fjalës së tij, Toska deklaroi se është informuar se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka ndërmarrë kontrolle dhe masa ndaj bizneseve të pronarit të televizionit, duke e lidhur këtë me raportimet dhe investigimet e realizuara nga media.
“Unë jam vënë në dijeni sot se News24 dhe bizneseve të pronarit që i zotëron, Tatimet janë hedhur në sulm sepse ky televizion, më i miri informativ në Shqipëri, sot ka një vlerë 80 milionë euro nëse e hedhim në bursë. Bën gazetari, oponencë, vërtetësi fakti, por këto nuk i pëlqejnë ministrit të Financave Petrit Malaj,” u shpreh ai.
Gazetari përmendi ministrin e Financave Petrit Malaj, si dhe drejtoreshën e Tatimeve Erilinda Lala, për të cilët tha se, sipas tij, po ushtrojnë presion ndaj bizneseve të lidhura me televizionin.
“Këto nuk i pëlqejnë ministrit të Financave, Petrit Malaj, që ka në xhep një xhepiste që është drejtoresha e Tatimeve, Erilinda Lala, që vjen e vendos gjobë ndaj bizneseve të këtij televizioni për të penguar fjalën e lirë. Duan të pengojnë çdo investigim që nxjerr në pah horrllëqet e tyre,” deklaroi Toska.
Në vijim, ai paralajmëroi se do të kërkojë reagim nga partnerët ndërkombëtarë për këtë çështje.
“Për sa kohë kërcënohet media në këtë vend, për Erilinda Lilën dhe Petrit Malajn do i kërkoj ambasadës amerikane t’i shpallë ‘non grata’ për cenim të medias dhe fjalës së lirë, për dhunim, kërcënim të një media që është pasuri kombëtare si News24,” u shpreh gazetari gjatë intervistës.
