Jannik Sinner ka fituar turneun prestigjioz të Indian Wells 2026, pasi në finale mposhti rusin Daniil Medvedev në një përballje shumë të balancuar që zgjati 1 orë e 55 minuta.

Tenisti italian u imponua me rezultatin 2-0 në sete, të dyja të fituara në “tie-break”, 7-6 dhe 7-6, duke treguar qetësi dhe vendosmëri në momentet vendimtare të ndeshjes.

Finalja u karakterizua nga një dominim i shërbimeve dhe shumë pak mundësi “break”. Në setin e parë, Sinner pati dy raste për të marrë avantazhin në lojën e gjashtë, por Medvedev arriti t’i anulonte. Megjithatë, në “tie-break” italiani u tregua më i saktë dhe e fitoi setin 8-6.

Edhe seti i dytë ishte po aq i luftuar dhe u vendos sërish në “tie-break”. Medvedev kryesoi 4-0, por Sinner reagoi në mënyrë spektakolare duke fituar shtatë pikë radhazi dhe duke mbyllur setin 7-4.

Me këtë sukses, 25-vjeçari italian siguron titullin e 25-të në karrierë dhe i afrohet vendit të parë në renditjen botërore të ATP-së, ku kryeson spanjolli Carlos Alcaraz, i cili u surprizua në gjysmëfinalen e këtij turneu nga Medvedev.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: