Presidenti i Kolumbisë akuzoi sot Ekuadorin për bombardimin e një zone kufitare të territorit kolumbian, nën pretekstin e luftimit të trafikantëve të drogës. “Po na bombardojnë nga Ekuadori”, tha Gustavo Petro , duke shtuar se 27 trupa të djegur u gjetën në zonën e prekur.
Presidenti kolumbian njoftoi gjithashtu se i kishte kërkuar homologut të tij amerikan Donald Trump të ndërhynte. “I kërkova të kontaktonte presidentin e Ekuadorit, sepse nuk duam të çohemi në luftë “, tha Petro.
Nga ana e tij, presidenti i Ekuadorit këmbëngul se bombardimet kanë goditur vende në territorin e vendit të tij. “President Petro, deklaratat tuaja janë të rreme. Ne po veprojmë në territorin tonë, jo në tuajin”, shkroi Daniel Noboa më parë në një postim në platformën X. Ai pretendoi se vendet e bombarduara ishin strehime të bandave të lidhura me narkoterrorizmin, shumica e të cilëve vijnë nga Kolumbia.
Më 6 mars, Ministria e Mbrojtjes e Ekuadorit njoftoi se kishte bombarduar “me mbështetjen e SHBA-së ” një kamp të “organizatës kriminale të trafikimit të drogës Comandos de la Frontera (CDF)” që vepronte në kufirin me Kolumbinë.
Të dielën, ajo njoftoi fillimin e një operacioni dyjavor që synon luftimin e trafikut të drogës, me mbështetjen e SHBA-së edhe në këtë rast.
Ekuadori i është bashkuar të ashtuquajturës “Mburoja e Amerikave”, një aleancë prej 17 vendesh e krijuar nga Trump për të luftuar kartelet e drogës. Kolumbia nuk është përfshirë në këtë aleancë.
