Fatmira Nikolli

Pothuaj 50% e pedagogëve  pretendojnë se Universiteti i Arteve ka kryer shkelje duke mos respektuar vendimet e komisioneve të promovimit të stafit akademik, si dhe të Senatit, si organi më i lartë vendimmarrës.  Sipas tyre, në vitin 2024, Senati Akademik i Universitetit të Arteve miratoi procedurat dhe vendimet për promovimin akademik të stafit, duke i dhënë një pjese të pedagogëve tituj të rinj akademikë, përfshirë titullin “Profesor i Asociuar në Arte”.

Megjithatë, që nga data 12.06.2024, këto vendime nuk janë zbatuar në mënyrë të plotë, veçanërisht në aspektin financiar dhe administrativ, duke bërë që pedagogët e promovuar të vazhdojnë të trajtohen sipas statusit të mëparshëm.

“Moszbatimi i vendimeve të një organi kolegjial si Senati Akademik krijon një precedent problematik për funksionimin e brendshëm të universitetit, duke vënë në pikëpyetje sigurinë juridike të akteve akademike dhe koherencën e vendimmarrjes institucionale. Në të njëjtën kohë, kërkesa për ndjekjen e detyrueshme të studimeve të ciklit të tretë (doktoraturë), e shoqëruar me kosto të konsiderueshme financiare, ngre shqetësime serioze për përputhshmërinë e këtyre praktikave me natyrën specifike të disiplinave artistike dhe me statusin e veçantë të Universitetit të Arteve si institucion i profilizuar”, tha ne emër te pedagogeve, Josif Gjipali.

Pedagogët thanë se në një anë ata detyrohen të ndjekin studimet e doktoraturës, me kosto të konsiderueshme financiare dhe në programe që nuk përputhen me profilin e tyre artistik. Sipas tyre është krijuar kontradikta ku nga njëra anë njihen tituj akademikë në bazë të praktikës artistike, ndërsa nga ana tjetër kërkohet përmbushja e kritereve të një modeli klasik akademik.“Përfaqësia e Asamblesë ka ndjekur rrugën institucionale për adresimin e kësaj çështjeje dhe i ka kërkuar zyrtarisht Rektoratit një sqarim të plotë mbi statusin dhe zbatimin e vendimeve të Senatit Akademik. Në mungesë të një përgjigjeje të qartë dhe një zgjidhjeje institucionale, përfaqësia e Asamblesë do të shqyrtojë të gjitha mjetet ligjore dhe institucionale në dispozicion për të garantuar respektimin e vendimeve akademike dhe funksionimin e rregullt të universitetit. Transparenca, respektimi i akteve akademike dhe siguria juridike janë parime themelore që nuk mund të relativizohen”, thuhet në deklaratë.

Sipas tyre, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për sqarim, deri më sot nuk ka një qëndrim të qartë dhe të plotë institucional mbi statusin dhe zbatimin e këtyre vendimeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: