Zhvillimet në Partinë Socialiste dje morën një kthesë tjetër të papritur, por jo të paparalajmëruar. Në mbledhjen e beftë të Asamblesë me objekt përgatitjen elektorale për zgjedhjet e ardhshme vendore të verës 2027, përveç aspekteve burokratiko-partiake të anëtarësimeve etj., ajo që përbën lajmin e vërtetë ka të bëjë me ndryshimin e disa drejtuesve politikë në qarqe. Këto ndryshime pasuan ato në qeveri të para dy javëve, ku në publik nuk u dha asnjë arsye pse u shkarkuan filan ministra e u emëruan fistek ministra të tjerë në vend të të parëve.

I vetmi përjashtim ishte largimi i Belinda Ballukut për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që në unanimitet miratoi “vendimin e pezullimit” të GJKKO. Ndërkohë që lëvizjet e tjera të paktën në publik mbeten të pajustifikuara formalisht.

Nuk u tha asnjë fjalë nëse ata që u larguan apo lëvizën e u emëruan brenda për brenda qeverisë kishin performuar mirë apo keq në krye të institucioneve që Rama u kishte besuar drejtimin. Kjo të bën të mendosh se qeveria dhe mazhoranca po sillen në mënyrë okulte jashtë çdo përfytyrimi transparence për publikun, çka përbën edhe një shkelje të qartë të normës demokratike. Por veçse në pamje të parë, pasi për këdo që merret sado pak me politikë, ajo çfarë ndodhi ishte konjukturë e pastër me mesazhet përkatëse të ç’kodifikuara.

Thelbi i ndryshimeve ishte largimi i njerëzve minimalisht të lëkundur në raport me hetimet e SPAK të muajve të fundit dhe zëvendësimi i tyre me ushtarë të bindur të anti-SPAK. Tashmë qartazi mazhoranca dhe qeveria janë rreshtuar në llogoren anti-drejtësi. Ose me ne ose me ata. Rrugë të mesme nuk ka. Dhe pikërisht në këtë dialektikë shkëlqeu përfshirja në kabinet apo lëvizjet me “ngritje” të personave që kanë mirëbesimin e Ramës, por sidomos Ballukut si “molla e sherrit” mes Kryeministrit dhe SPAK. E po t’i shtojmë edhe çështjen nën hetim të AKSHI-t, pasi ndonjë ministër që “i ka humbur valixhja e zezë” para disa vitesh u emërua ministër, sjellja e Ramës bëhet akoma më e lexueshme.

Por Rama nuk u mjaftua vetëm me ndryshimet në qeveri, por i pasoi ato përmes ansamblesë së djeshme dhe me shtrirjen në PS në nivel drejtuesish politikë. Dhe nëse qeveria është atribut i Kryeministrit, tashmë edhe Partia Socialiste është shndërruar zyrtarisht në një zgjatim të tijin. Shkurt dhe troç, sot në PS vlen vetëm Edi Rama dhe Balluku. Të tjerët ose do nënshtrohen ose të gjejnë ndonjë punë tjetër për të bërë jashtë PS apo politikës. Fjala vjen, Spiropali si viktima ekselente e kësaj batice brenda partisë së kryetarit dhe krahut të tij të djathtë, mund të gjejë ndonjë punë në misione ndërkombëtare në vend që të durojë uljet e vazhdueshme në detyrë deri në poshtërim.
Por kjo dialektikë e re në partinë qeverisëse, ashtu siç ndryshimet në qeveri, fsheh brenda një dyshim që po zmadhohet në nivel rregulli. Personat e graduar në qeveri dhe parti janë njerëz që gëzojnë miratimin ose mbështetjen e Ballukut.

Ish vartës së saj si Karakaçi, Nufi, Malaj e ndonjë tjetër po gradohen me shpejtësi në nivelet më të larta politike të mazhorancës, çka ngre një pikëpyetje të madhe. Kush po e drejton sot realisht mazhorancën, pasi formalisht dihet? Ose më saktë, Rama është drejtues, bashkëdrejtues apo thjesht i deleguar në krye të PS dhe ekzekutivit?
Dosja Balluku, e qepur deri tani me xhiro të ulëta të makinës qepëse SPAK, ka mundësuar një zhvendosje të madhe të retorikës së Ramës. E rast pas rasti edhe konfuzion në qëndrimet e tij publike, që nga arkitekt i SPAK është shndërruar në një oficer xhenioje me tritol kushtetues e ligjor, gati për ta ndezur në shpërthim ndaj strukturës së posaçme të hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit madhor.

Çka do të thotë se jo vetëm e ka nxjerrë keq veten në sytë e PS, publikut e ndërkombëtarëve, por e ka dobësuar edhe strukturalisht brenda pushtetit që drejton prej 13 vitesh.

Pasi perceptimi se Balluku dhe Karçanaj e kanë spostuar qëndrimin e tij vite dritë larg nga qëndrimet e mëparshme në raport me SPAK, janë reflektuar edhe në përbërjen e qeverisë e kupolës së Partisë Socialiste. Dhe pyetja që shtrohet sërish është: kush drejton sot në PS? Rama apo Balluku? Për momentin duket se jemi përballë bashkëdrejtimit. Një farë kombinimi Ramiz–Nexhmije, ku askush nuk mund të thotë se kush është Nexhmija e kush Ramizi.

Por një gjë kuptohet lehtë: “Kapedani” është shndërruar në Makun e famshëm të “Zëvendësit të Grave”. A do të trimërohet Maku në fund të filmit që po luhet në PS? Këtë askush nuk e di! Por gjasat që opozitarët t’ia fusin kot me frazën “Rama ik”, pasi Rama nuk është drejtuesi i vërtetë i mazhorancës, po rriten çdo ditë e më shumë! Kjo mund t’i kushtojë Berishës ca postera më shumë në protesta, por PS-së po i shton akoma më shumë kostot politike brenda dhe jashtë vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb