Zgjodha të mos flas menjëherë pas ngjarjes në Durrës. Jo se duke kaluar një ditë apo dy, ajo tragjedi do të zbutej. Por më shumë se të bëhesha pjesë e reagimit masiv, të fortë, të zhurmshëm, i përligjur padyshim, kalova shumë kohë duke menduar, analizuar e ngritur pyetje me veten time, si qytetar, si prind, si njeri i angazhuar.

Por sot kam detyrimin të mos hesht për një çështje që kërkon një reflektim të thellë të shoqërisë pasi kjo nuk është një ngjarje që duhet të kalojë. Nuk është një aksident. Eshtë një pasojë.

Pasojë e një modeli qeverisës që ka ndërtuar qytete pa menduar për njerëzit që jetojnë aty. Që ka vendosur betonin mbi jetën, ndërtimin mbi mirëqenien, fitimin e shpejtë mbi sigurinë. Që ka kthyer çdo hapësirë publike në potencial pasurimi dhe çdo metër tokë në interes ekonomik. Shpesh here kriminal.

Le të flasim për të vertetën e madhe që të gjithë e flasin por që nuk reagojmë si duhet. Në qytetet e mëdha sot në Shqipëri parqet janë të pakta, për të mos thënë që nuk ekzistojnë, hapësirat e sigurta për të vegjlit ose të moshuarit, janë zhdukur, qytetet janë vetëm shprehje e betonit dhe makinave, s’kanë asnjë tipar human.

Në këtë situatë, një pjesë prej nesh kemi zgjedhur t’i mbajmë mbyllur në shtëpi femijët, nën efektin e kompjuterave apo telefonave. Një lloj rreziku tjetër dhe ky. Ka dhe shumë të tjerë që i lejojnë të luajne me plot të drejtë në hapësira të vogla pa makina poshtë pallatit apo banesës së tyre. Por prapë, nuk kemi argëtim, por një torturë në një zonë shumë të ngushtë e të kufizuar, sërish me alarmin për të mos e kaluar atë perimetër. Dhe mes ketij realiteti një fjali e tmerrshme është bërë normale: “kujdes, luani vetëm në trotuar”.

E pra kjo shprehje duhet të ishte ulëritëse, por mesa duket është kthyer normalitet.
Normalitet që më duhet ta ritheksoj:
FEMIJET mbahen brenda sepse jashtë nuk kanë ku të luajnë. Dhe kur dalin, RREZIKU është pjesë e lojës.

E pra ky eshte rezultati. Një rezultat i drejtpërdrejtë i një qeverisjeje që ka zgjedhur prioritetin e saj: BETONIN. Ndërkohë që hapësirat publike, siguria,. cilësia e jetës – janë lënë pas.

Me vjen keq ta them por ngjarje të tilla nuk janë të papritura. Janë të paralajmëruara. Janë produkt i një modeli që nuk ka patur kurrë në qendër qytetarin.

Padiskutim që, përgjegjësia kryesore është e këtij modeli dhe e atyre që e drejtojnë. Por ka edhe një përgjegjësi tjetër: e një shoqërie që është mësuar ta pranojë këtë realitet, ta tolerojë, ta lejojë dhe në fund ta votojë.
Ndërkohë që, do duhej ta kapnim prej leckash këdo që promovon e përfiton nga ky model dhe ta hidhnim sa me larg femijeve tanë që duan thjesht të kenë hapësirë, të luajne të pashqetesuar, të parrezikuar.

Kjo duhet të jetë një pikë ndalese. Nuk mund të vazhdojme me të njëjtin model dhe të presim rezultat tjetër.

Nuk mund të ndërtojme qytete pa hapësirë për fëmijët dhe pastaj të habitemi kur ndodhin tragjedi.

Reagimet tona si pjese e nje revolte të përligjur për humbjen e jetës së dy femijëve duhet të jenë edhe të vendosura dhe të qendrueshme që këto ngjarje mos ndoshin përsëri. Ky realitet duhet te ndryshoje me kontributin e gjithsecilit. Nuk është e pamundur, as ëndërr, dita ku femijet tanë të na drejtohen:po sbres tek parku apo fusha!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb