Një video e pazakontë, ku shtatë qen shihen duke ecur së bashku në një autostradë qendrore në Kinë, ka bërë xhiron e internetit ditët e fundit, duke ngjallur reagime dhe pikëpyetje të shumta në rrjetet sociale. Pamjet janë filmuar në qytetin Changchun, në provincën Jilin, ku qentë u panë duke lëvizur të bashkuar në një rrugë të ngarkuar, pa qenë e qartë se ku po shkonin. Videoja u publikua fillimisht nga një përdorues me mbiemrin Lu në platformën kineze Douyin, duke kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve.

Sipas raportimit të South China Morning Post, ekziston dyshimi se qentë ishin vjedhur nga persona të lidhur me industrinë e mishit të qenve dhe po transportoheshin me kamion. Megjithatë, ata dyshohet se arritën të arratisen dhe, për dy ditë, përshkuan rreth 17 kilometra për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Grupi përfshinte raca të ndryshme, si një bari gjerman i plagosur, korgi, retriever të artë, labrador dhe pekinez. “Duken si një grup vëllezërish të vegjël në vështirësi, që lëvizin së bashku – nuk kanë lidhje me qentë endacakë”, u shpreh Lu për mediat lokale, duke shtuar se përpjekjet e tij për t’i ndihmuar dështuan pasi qentë vazhduan rrugën pa ndalur.

Ndërkohë, ndërsa videot u bënë virale në rrjetet sociale kineze, vullnetarë dhe dashamirës të kafshëve ndoqën lëvizjet e tyre dhe kontribuuan që qentë të riktheheshin të sigurt në shtëpi. Organizata Bitter Coffee Stray Dog Base konfirmoi se të shtatë qentë vinin nga i njëjti fshat dhe njiheshin me njëri-tjetrin, çka shpjegon edhe faktin pse qëndruan bashkë gjatë gjithë rrugëtimit.

Sipas të dhënave, qentë u larguan më 16 mars dhe u kthyen në shtëpi më 18 mars, ndërsa më 19 mars u konfirmua se të gjithë ishin ribashkuar me pronarët e tyre, të cilët i përkisnin tre familjeve të ndryshme. Rasti ka rikthyer vëmendjen mbi industrinë e diskutueshme të mishit të qenve në China. Sipas analizave të organizatës HumaneWorld, mbi 10 milionë qen konsumohen çdo vit në vend.

Një pjesë e konsiderueshme e kësaj tregtie lidhet me aktivitete të paligjshme, përfshirë vjedhjen e kafshëve shtëpiake dhe transportimin e tyre pa dokumentacionin e nevojshëm shëndetësor. Gjatë transportit, shumë kafshë vuajnë nga kushte të rënda, duke përfshirë dehidratimin, lëndimet dhe mbinxehjen. Megjithatë, ekspertët theksojnë se konsumi i mishit të qenve nuk është i përhapur në të gjithë Kinën dhe shumica e popullsisë nuk e konsumon atë. Historia e shtatë qenve, që sfiduan rrezikun dhe qëndruan së bashku deri në fund, është parë nga shumë si një dëshmi e fortë e instinktit dhe lidhjes mes kafshëve – dhe një kujtesë për rëndësinë e mbrojtjes së tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: