Deputeti socialist Fatmir Xhafaj deklaroi në Kuvend se procesi i integrimit europian të Shqipërisë duhet të trajtohet si një objektiv kombëtar dhe jo si një çështje për përplasje të përditshme politike.

Gjatë diskutimeve për rezolutën mbi integrimin e vendit në Bashkimi Europian, Xhafaj u shpreh se standardet që kërkon BE-ja nuk lidhen vetëm me miratimin e ligjeve, por edhe me mënyrën se si funksionojnë institucionet dhe demokracia në praktikë.

Sipas tij, Bashkimi Europian vlerëson kulturën institucionale, seriozitetin e institucioneve dhe aftësinë e forcave politike për dialog dhe bashkëpunim. Deputeti socialist e cilësoi pozitive dakordësinë mes palëve për një rezolutë të përbashkët, duke theksuar se politika shqiptare nuk duhet ta trajtojë integrimin si “një betejë të vogël të ditës”. Ai bëri thirrje që debatet politike të fokusohen te përgjegjësitë konkrete, por pa vënë në diskutim orientimin strategjik të vendit drejt Europës.

“BE nuk na vlerëson vetë për numrin dhe cilësinë e ligjeve që miratojmë, por edhe për funksionimin real të demokracisë, kuluturën tonë institucionale, aftësinë tonë për dialog dhe seriozitetin e institucioneve. Është një gjë pozitive dakordësia për këtë rezolutë të përbashkët, sepse ne nuk kemi të drejtë ta trajtojmë këtë proces si betejë të vogël të politikës së ditës. Në fund të fundit, negociatat mund ti hapë një qeveri, kapitujt mund ti negociojë një shumicë, por në BE hyn Shqipëria. Le të debatojmë fort për përgjegjësitë, por të mos deligjitimojmë orientimin strategjik të vendit. Integrimi Evropian, Shqipëria Evropiane është një projekt shprese kombëtare. Është përpjekja e një kombi për të jetuar me dinjitet evropian në familjen evropiane”, tha Xhafaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: