Në qytetin Nabatiyeh, në jug të Libani, lufta po merr jetë jo vetëm mes luftëtarëve, por edhe mes atyre që përpiqen të shpëtojnë të tjerët. Dy vullnetarë të rinj të ambulancës u vranë pasi motoçikleta me të cilën po udhëtonin u godit drejtpërdrejt nga një dron izraelit. Viktimat janë Ali Zaber, 19 vjeç, dhe Jud Sleiman, vetëm 15 vjeç, të cilët ndodheshin në një mision shpëtimi në momentin e sulmit.
Numri i viktimave mes ekipeve të emergjencës në Liban po rritet ndjeshëm, duke arritur në 42 të vdekur brenda vetëm 24 orëve, sipas burimeve në terren.
Qyteti i Nabatiyeh është goditur rëndë nga artileria dhe sulmet ajrore izraelite, duke shkaktuar dëme të mëdha në zonat e banuara dhe duke përkeqësuar situatën humanitare.
Një nga momentet më tronditëse të kësaj ngjarjeje lidhet me familjen e njërës prej viktimave. Babai i 15-vjeçarit, i cili është vetë vullnetar në shërbimet e emergjencës, ishte ndër të parët që mbërriti në vendngjarje dhe u përball me trupin e pajetë të djalit të tij.
Për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga sulmet, funeralet e dy të rinjve u zhvilluan me shpejtësi, në kushte minimale sigurie, ndërsa banorët jetojnë nën frikën e bombardimeve të reja.
