E futur në matrica antropologjike, ambicia sot është nga shtysat më të mëdha për ndryshim. A është e mirë? Patjetër. Ambicia e shqiptarëve për mëvetësinë e tyre i dha jetë Rilindjes së vërtetë. Anipse, ambicia e tepërt në kulturën e individit shqiptar (mbase panginja) duket se lidhet dhe është pasojë e turbullirave të periudhave historike, tranzicionin nga një regjim shumë i mbyllur në një syresh të globalizuar etj.. Kërkesa për një jetesë të mirë ka bërë që shumë të mos frenohen nga një aspekt i thjeshtë i ambicies: etikën e saj. Në kohë, kjo na ka bërë që të shpërfaqemi shumë larg interesave të vendit dhe pa mundur që atë ta derdhim në enën e madhe, e cila bashkon djersën e njerëzve që bëjnë dhe lartësojnë Shqipërinë.
Pak vite më parë (Zaloshnja, B.W., 2023) statisticieni mediatik, Eduart Zaloshnja i referohej një shpërdorimi të frikshëm me paratë e Shqipërisë, njërit prej vendeve më të varfra në Ballkan dhe më gjerë. Në ekstrapolimin e tij shkruhej se përafërsisht: “…11% e parave që arrijnë të grumbullohen në Thesarin e Shtetit shqiptar, shpërdorohen më pas ose ndahen mes politikanëve apo zyrtarëve të korruptuar dhe korruptuesve të tyre. Përqindjet e mësipërme përkthehen në një gropë 20 miliardë dollarëshe në 20 vjetët e fundit…”. Nuk ka ditë që lajmet të përthithin vëmendjen për të korruptuar, për marifetçinj, për “vizionarët e të keqes”, të cilët pas ’90-s janë kthyer në normalitet. Për fat të keq, përfshijnë gjeneratën tonë X dhe madje dhe atë Z, sak atë që sot po kërkon ndryshimet, në Evropë e ngado. Ambicia që injoron kufijtë etikë është fare e prekshme tek ne. Atë e ke të materializuar sot në butaforitë e zyrave të SPAK-ut përmbytur me dosje korrupsioni. E për çfarë duhet ambicia, nëse nuk prodhon mirëqenie dhe shqiptarët vazhdojnë e mbesin të varfër? Kujt i duhet kjo kotësi që e shikojmë sot në fotot e pushimeve dhe argëtimeve të të ashtuquajturve VIP-a, apo llojet e makinave të shtrenjta që gati na përplasin rrugëve, nga ku na hedhin vështrim përbuzëse. Të jetë kjo ambicie thjesht pjesë e mirëqenies sociale, apo status i një klase të re që po kërkon konfirmim? Të dhënat tregojnë se po pasurohet vetëm një pjesë fare e vogël, afër pushtetit të sotëm Rama. Pyetje të shumta rrjedhin, por t’i drejtohemi historisë, e cila përmban disa nga njerëzit tanë që kishin ambicien pozitive dhe i falën vendit gjëra të mëdha, ende funksionale.
Nuk janë shumë, por do sillnim njërin syresh. Ishte inxhinier Gjadri (Gjovalin), i mbetur i vé herët me një djalë (Ing. Egon Gjadrin) që duhej ta rriste i vetëm kantiereve dhe që ndoqi plot dinjitet rrugën e tij. Më 1943, duke përdorur pseudonimin G. Maranaj, shkroi në gjermanisht një vepër “Briefe an meine tote Frau” me letrat që i shkroi të shoqes së tij pasi kishte ndërruar jetë, duke rrëngjethur me emocionin e ndjenjës. Gati 55 vite më vonë, vëllimi u botua për herë të parë më 1998, përkthyer nga Petraq Kolevica me titullin “Letra e gruas sime të vdekur”. Kurse Ardian Ndreca bëri një ushtrim përkthimi të jashtëzakonshëm me gegërishten letrare (2017) e ribotoi me titullin “Letra shoqes seme të vdekun”. Për brezin e pas viteve ’90, atë e kishte mbuluar tisi “i harresës”. Por dinjiteti është gjithnjë referim. Inxhinierit të urës monumentale të Matit dhe urës të madhe te bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet i ruhen në fondin e Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit projekte të mbi 75 veprave inxhinierike të tij, të ndërtuara në rajone të ndryshme të Shqipërisë. Ambicia e tij nuk ishte të evidentohej në Shqipërinë e sfilitur, sepse humbja e së shoqes dhe rritja e të birit e kishin bërë tashmë, por të punonte me nivele të larta.
Ai konsiderohet si inxhinieri që aplikoj me sukses në Shqipëri, metodat më inovatore dhe bashkëkohore të ndërtimit të urave, si edhe një punëtor i madh i shkencë dhe një njeri i progresit, që studentët e tij dhe sidomos kolegët do e mbanin mënd për dinjitetin, nivelin e lartë të kërkesës tekniko-inxhinierike dhe qëndrimit pakompromis në mbrojtje të lirisë së mendimit dhe së vërtetave shkencore. Siç ndodh rëndom, edhe ai nuk i shpëtoi dot përballjes së ambicies për ta errësuar, penguar dhe mbi të gjitha për ta përfolur e shmangur. Mbeti kredoja e tij: Të bësh për vendin tënd më të mirën, duke respektuar etikën e mendimit dhe ambicien pozitive për Shqipërinë! Identiteti, paçka se për shumë konsiderohet si abstrakt, është pjesa që intelektualë si ai e kishin të plazmuar në varësi të respektit për kontributin ndaj vendit.
Shumë vite më vonë, Ing. Skënder Kosturi do të na sillte këtë përmes evokimit të punës për një urë (e Lanës) që është nga ato më funksionale të kryeqytetit dhe që e përshkojmë çdo ditë: “Ura pranë hotel ‘Dajtit’ nuk mund të dallohet për gjerësinë, e cila në llogaritjen e një ure të tillë ka pak rëndësi. Interesante është zgjidhja e inkastrimit të thembrave të harkut të shtrirë. Prof. Gjadri më ka treguar rreth 50 vjet më parë një botim apo revistë, që e mbante në zyrën e tij, në katin e tretë te Ministria e Ndërtimit, ku qe përshkruar armimi i kësaj ure në gjuhën gjermane, që unë nuk e kuptoja. Mbaj mend që skicat e armimit ishin bërë me ngjyrë të bardhë në sfond të gjelbër. Për këtë urë b.a ndërtuar rreth një shekull më parë është se gjatë periudhës së komunizmit, në paradat ushtarake mbi të kanë kaluar kolona tankesh, pra një ngarkesë e tillë jo e zakonshme për kohën. Sot me normat në fuqi parashikohet edhe ekspozimi ndaj ndotjes urbane që në atë kohë nuk njihej. Edhe çimentoja e asaj kohe ka qenë shumë më e dobët se kjo që prodhohet sot. Profesori kishte qejf mbështetjet e urave në bazament shkëmbor dhe unë miqësisht e ngacmonja duke i përmendur këtë urë të ndërtuar në bazament dhéu të zakonshëm. Vlera e asaj ure është sepse është krijim i një figure të shquar të inxhinierisë shqiptare e më tej, për të cilën ka edhe targetin përkatës”.
Shumë vite përpara tij, në një artikull Mit’hat Frashëri nga studimi “Për të formuar karakterin” (Revista “Pedagogjike”, nr., 6-11, viti 1926) do e sqaronte fenomenin e ambicies në konceptin antropologjik: “Shqiptari ka ambicion personal fort të zhvilluarë; ky ambicion është vëlla dhe motrë me kotësinë. Kërkon nder dhe lavdë për vetëhen e tij. Për fat të keq kombin dhe naltësinë e kombit e kemi pakë si të harruarë mënjanë.
Kemi nevojë që të zgjojmë te nxënësit një ambicion kombiar, një lithkë solidariteti për çdo send që i takon kombit, racësë, vendit të Shqipërisë. Këtë ndjenjë munt ta ngjallim duke e bindurë nxënësin se, vetëm duke u nderuarë kombi, duke u-lëvduar Shqipërija, duke qenë me famë dhe me zë të mirë çdo send që i përket Arbërisë, vetëm atëherë edhe çdo shqipëtar, çdo njeri munt që të jetë i lëvduarë dhe i nderuarë si person; me një fjalë duhetë që të vërë në shërbim të Shqipërisë gjithë ambicionin dhe aktivitetin e tij, që të marrë edhe vetë pjesën më të madhe dhe më të pëlqyerë”.
Mësime të vyera për një kohë, ku të zhvatësh vendin, është “zotësi” dhe të mos kontribuosh për të, quhet “me pa punën tënde”. Ing. Gjadri e kishte një synim dhe kjo lidhej me ambicien për ta parë vendin e tij, Zonjë mbi zonjat, kurse punën e tij thjesht detyrimin që çdo shqiptar ka për vendin e tij; kurse Frashëri me potencialin e lartë kulturologjik dhe si shtetar mundohej të ngjallte pak vetëdije për kombin, atëherë kur Shqipëria sapo kishte nisur rrugëtimin mes shteteve të qytetëruar, me shqetësimin që e provojmë në çdo moment: Mungesën e etikës së ambicies dhe panginjen në kurriz të vendit. Kjo të vjen në mend këto ditë marsi, kur Gjadri numëron 54 vite në amshim (U largua më 13 mars), kurse Mit’hat Frashëri ka ditëlindjen e tij (25 mars, 1880), të dy donin ta kanalizonin ambicien për një Shqipëri të bukur. Fatkeqësisht, ne, shqiptarët e sotëm jemi ende larg mësimit të tyre, të rilindasve të vërtetë. (Homo Albanicus)
