Në Komisionin për Median dhe të Drejtat e Njeriut, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka ngritur akuza të forta ndaj projektligjit të propozuar nga mazhoranca për Parqet Teknologjike, duke e cilësuar atë si një instrument që rrezikon të institucionalizojë një ekonomi selektive dhe të kontrolluar.
Duke folur në cilësinë e kryetares së komisionit, Tabaku theksoi se nisma nuk adreson boshllëqe reale ligjore, por krijon një shtresë të re privilegjesh mbi një model tashmë problematik.
“Ne kemi një ligj në fuqi që nga viti 2022. Pyetja është shumë e thjeshtë: çfarë nuk funksionon që po sillni një ligj të ri? Sepse sipas analizave, qëllimet që ju paraqisni arrihen me legjislacionin ekzistues,” u shpreh ajo.
Në thelb të kritikës së saj ishte koncepti i “parkut virtual”, që sipas Tabakut është një model që nuk ka prodhuar zhvillim real, por vetëm përfitime fiskale për një grup të kufizuar.
“Sot kemi një park që ekziston vetëm në letër. Një park virtual, ndërkohë që rreth 50 kompani përfitojnë favore fiskale. Tani po e zgjeroni këtë model. Kjo nuk është politikë zhvillimi – është zgjerim i privilegjeve për pakicën,” deklaroi ajo.
Tabaku e lidhi këtë projektligj me një problem më të thellë të mënyrës si funksionon ekonomia shqiptare, duke e cilësuar si pjesë të një sistemi që deformon tregun dhe konkurrencën.
“Ky ligj nuk ndërton inovacion. Ai ndërton një sistem paralel për disa kompani të zgjedhura, duke prishur garën dhe duke i dhënë shtetit një rol dominues në treg,” theksoi deputetja.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej saj ishte mungesa e analizës së impaktit financiar dhe ekonomik, duke vënë në pikëpyetje transparencën e nismës.
“Ju po propozoni ulje taksash, madje edhe TVSH 0%, por nuk kemi asnjë analizë të kostos për buxhetin e shtetit. Ulja e taksave nuk është slogani i ditës – është përgjegjësi publike që kërkon llogaritje konkrete,” u shpreh ajo.
Po ashtu, Tabaku kritikoi mungesën e konsultimit publik, duke theksuar se një ligj me ndikim të drejtpërdrejtë në treg nuk mund të kalojë pa debat të gjerë.
“Ky projekt është depozituar që në nëntor dhe nuk ka pasur një proces real konsultimi. Ligje që japin favore fiskale duhet të kalojnë patjetër në diskutim publik – kjo është në interes të transparencës dhe të vetë Kuvendit,” tha ajo.
Në analizën e saj, Tabaku u ndal edhe te roli i shtetit në këtë model, duke e cilësuar atë si problematik dhe me rrezik për konflikt interesi.
“Shteti në këtë skemë është njëkohësisht aksioner, rregullator, blerës dhe palë kontraktuese. Ky është një përqendrim i rrezikshëm kompetencash që deformon tregun dhe zbeh rolin e Parlamentit,” deklaroi ajo.
Sipas saj, projektligji bie gjithashtu në kundërshtim me standardet europiane, duke krijuar trajtim preferencial dhe elementë të ndihmës shtetërore.
“Po krijohet një korsi preferenciale për disa kompani. Kjo bie ndesh me parimin e trajtimit të barabartë dhe rrezikon të shkelë detyrimet që kemi në kuadër të integrimit europian,” theksoi Tabaku.
Në përfundim, ajo e vendosi debatin në një plan më të gjerë, duke e lidhur projektligjin me modelin ekonomik që po ndërtohet në vend.
“Problemi i kësaj nisme nuk është thjesht teknik. Është politik. Është selektiviteti. Është fakti që po ndërtojmë një ekonomi me dy shpejtësi: një për pakicën që përfiton favore dhe një për shumicën që paguan koston,” përfundoi Tabaku.
