Anëtari i Këshillit Kombëtar PD, Lisandër Hoxha, në një intervistë në “News24”, komentoi zhvillimet politike në vend, protestat si edhe Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.
Gjatë intervistës, Hoxha theksoi se mesazhi kryesor që përçoi Kuvendit Kombëtar ishte ripërtëritja e strukturave të PD.
“Mesazhi që u përcoll është ripërtëritja e strukturave të PD. Është jetike për PD që të modernizojë vetveten dhe një kërkesë e përsëritur. Ripërtëritja totale e strukturave të saj. Ko forcë politike kaloi një kalvar të gjatë betejash. Ne jemi përballë zgjedhjeve të organit drejtues të PD që është Kryesia. Tashmë nuk ka justifikim duhet bërë rithemelimi i PD. Mendoj që jemi në një situatë kritike dhe PD duhet të tregojë përgjegjshmëri për të ruajtur fibrën e vet që arriti ta rimbledhë PD. Tani është momenti të hapemi. Njerëz që kanë bërë beteja këta janë fytyra e re e PD, jo teknokratë. Unë e sugjeroj këtë.
I pyetur lidhur me protestën kundër projektit në Zvërnec, ai tha se mbështet çdo protestë, por kundërshtojnë projektet korruptive.
“Unë mbështes çdo protestë. Por nuk është një protestë kundër investimeve të huaja. Ajo që kërkon anulimin e një projektin korruptiv nuk është kundër investimeve të projekteve të huaja. Në Shqipëri ka dy ligje që duhen zhdukur nga mazhoranca e ardhshme, ligji për investimet strategjike, dhe “Paketa e Maleve” që lidhet me korrupsion madhor, me vjedhje kolosale të Ballukut qe e mbron Rama. Do t’i investojë në ndërtim dhe ka gjetur një mënyrë për të rrëmbyer pronat”, tha ai.
Më tej ai komentoi edhe përplasjet mes Ervin Salianjit dhe kreut të PD, Sali Berisha duke thënë se interesi më madhor është çlirimi i Shqipërisë nga qeveria që po vjedh shqiptarët.
“Nuk kam dashur që gjërat të shkonin kaq larg. Çdo person që ka një kontribut në PD do të doja ta shikoja në kauzë të vetme. A ka diçka që na bashkon? Nëse po, ajo është rrëzimi i regjimit që po u merr shpirtin shqiptarëve. Revoltat qytetare që manifestohen kudo, edhe të shoqërisë civile në tërësi, janë momente kur ulen shpatat bashkohen kontributet, të diskutojmë proceset e çështje konkrete, kjo vjen në plan të dytë. Sepse interesi madh është të çlirohemi nga një qeveri që vjedh shqiptarët dhe që ka nisur tua shesë territorin e Shqipërisë të huajve”, tha ai.
