Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me asamblenë socialiste të Njësisë 7 në kryeqytet, nga ku ka folur edhe pas raportimeve për përplasjet në mbledhjen e fundit të grupit të zgjeruar parlamentar.

Duke mos i mohuar këto episode, Rama u shpreh se iu duk e pabesueshme ajo që u raportua për përplasjet ndërsa i cilësoi si “spektakolare”.

“Ishte spektakolare, e pabesueshme edhe për mua që, besoj që nuk ka më çfarë më surprizon, që ne mblidhemi në një mbledhje të zgjeruar të grupit parlamentar me qeverinë, që e bëjmë çdo fund muaji, për të diskutuar tema specifike, për të dëgjuar qeveria deputetët dhe anasjelltas, i kushtojmë orë të tëra çështjes së pronave, shërbimit të kadastrës, ecurisë së reformës në kadastër, etj.

Pastaj flasim për reformën administrative territoriale ku bashkëkryetari prezanton gjithë analizën e bërë këto muaj të të dhënave demografike, financiare, skenarët etj etj, dhe pastaj bëjmë një sesion tjetër për temat e komunikimit dhe për këtë fushatë brenda partisë dhe rreth partisë fillojmë në orën 11 dhe dalim në orën 6 dhe mediat kombëtare, nuk po diskutoj tenxheret e vogla, apo ato të mbushura me helm që në mëngjes, por media kombëtare.

Raportojnë për publikun çfarë i tha Edi Rama njërës e çfarë i tha tjetrit. Natyrisht që shqetësimi nuk është ky. Njerëzit kanë votuar dhe duan të dijnë gjëra të tjera. Janë të shqetësuar për çmimin e naftës, kjo është jeta reale. Çmimi që rritet si rezultat i një lufte, që as e kemi hapur ne, as na ka pyetur njeri ne për ta hapur dhe që është një luftë kundër një vendi ku ka një regjim armiqësor ndaj nesh si Shqipëri”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb