Më shumë se 70 persona u vranë në një sulm bandash natën e së shtunës ndaj të dielës në qytetin Petit Riviere në departamentin Artibonite në Haitin qendror , tha sot i dërguari special i OKB-së në vend.

“Të paktën 70 të vdekur në sulme të dhunshme dhe të koordinuara në disa vende në Petit Rivière të Artibonite”, vuri në dukje Carlos Ruiz Massier në një postim në “X”.

Ai vazhdoi: “Kjo dhunë e verbër është një tjetër kujtesë e nevojës urgjente për mbështetje të shtuar në Haiti për të luftuar plagën e bandave dhe rrjeteve që i mbështesin ato.”

Numri i përkohshëm i njoftuar nga policia haitiane të hënën ishte të paktën 16 të vdekur , por organizatat e të drejtave të njeriut kishin shprehur frikë se numri i viktimave do të rritej në mënyrë dramatike.

Sipas autoriteteve lokale, anëtarët e bandës “Gran Grif” nisën një sulm në lagjen Jean Denis rreth orës 3 të mëngjesit, duke i vënë flakën shtëpive . Shumë banorë të Petit Rivière ikën nga shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar.

Një raport i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i publikuar javën e kaluar, tha se dhuna e bandave dhe operacionet për të luftuar krimin e organizuar në Haiti kanë shkaktuar më shumë se 5,500 vdekje midis marsit 2025 dhe mesit të janarit 2026 .

Haiti , vendi më i varfër në Hemisferën Perëndimore, është prekur prej vitesh nga dhuna e bandave kriminale , të cilat kryejnë vrasje, përdhunime, plaçkitje dhe rrëmbime.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb