Viti 2025 shënoi një rënie të numrit të kërkesave për të drejtë informimi nga gazetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, që vjen sipas tyre nga taktikat që ndjekin institucionet për të mos dhënë informacion, duke shkaktuar dekurajim dhe humbje të besimit.
Në Raportin Vjetor 2025 të dorëzuar në Kuvend, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, IDP, raportoi një rënie të numrit të kërkesave për informacion nga gazetarët dhe shoqëria civile krahasuar me vitin e kaluar. Sipas Komisionerit, kjo rënie e kërkesave mund të lidhet me përmirësimin e transparencës proaktive të autoriteteve publike.
“Analiza krahasimore tregon përmirësim të transparencës proaktive, i reflektuar edhe në uljen e numrit të kërkesave nga shoqëria civile dhe gazetarët,” thuhet në raport.
Por përtej këtij optimizmi të institucionit, gazetarët që përballen çdo ditë me institucionet dhe nevojën për informacion theksojnë se rënia e kërkesave nuk vjen nga transparenca, por nga dekurajimi, humbja e besimit dhe ato që i perceptojnë si strategji të qëllimshme të institucioneve për të vonuar informacionin, derisa ai të humbasë vlerën e lajmit.
Gazetarët thonë se në praktikë, shumë institucione shtetërore e kanë kthyer moskthimin e përgjigjeve në normë, duke i detyruar ata që të futen në labirinthet e ankesave te Komisioneri.
Për gazetaren e Citizens Channel, Elira Kadriu, kjo është një taktikë e mirëfilltë.
“Ka institucione që janë aq hermetike sa nuk mund të marrësh kurrë përgjigje nëse nuk delegon ankesë te Komisioneri për Informim. Përmend këtu Ministrinë e Shëndetësisë, të Kulturës apo, në disa raste, edhe Bashkinë e Tiranës,” tha Kadriu. Ajo shton se kjo pritje, që shpesh shkon deri në një muaj, e bën lajmin të pamundur.
Edhe gazetari Osman Stafa thotë se kjo praktikë e ka bërë të dorëzohet dhe të heqë dorë nga përdorimi i së drejtës për informacion. “Aktualisht rezervohem të çoj kërkesa, sepse nuk marr përgjigje për atë që kërkoj. Sa herë kërkoj më nxjerrin probleme… Më mbetet vetëm të shkoj në gjykatë, por kjo merr deri në 5 vite,” tha Stafa në një bisedë telefonike.
E drejta e informimit
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka paraqitur në raportin vjetor përgjithësisht një situatë pozitive apo në përmirësim për transparencën në vend.
Në raportin për Kuvendin, IDP vë në dukje se shumica dërrmuese e institucioneve të monitoruara plotësojnë kërkesat e ligjit për transparencë proaktive, duke pasur një program transparence dhe një koordinator për të drejtën e informimit.
Komisioneri po ashtu vë në dukje se 36% e institucioneve që kanë marrë kërkesa për informim, pretendojnë se i kanë kthyer përgjigjet brenda një kohe të shkurtër 3 ditore.
Raporti thekson se vitin që shkoi u rrit totali i kërkesave për informacion, por shumica e tyre vijnë nga qytetarët që kërkojnë të njihen me informacione mbi çështjet personale. Ndërkohë numri i kërkesave nga gazetarët apo organizatat e shoqërisë civile që kërkojnë informacion për interes publik ra me 10%.
Në të kundërt, numri i ankesave ndaj shkeljes së ligjit për të drejtën e informimit nga ana e gazetarëve është rritur.
Të dhënat e raportit të vitit 2025 tregojnë se pjesa dërrmuese e ankimeve, 385 prej tyre, janë depozituar ndaj institucioneve të qeverisjes qendrore dhe atyre të varësisë. Pushteti vendor renditet i dyti me 293 ankesa, ndërsa 183 ankesa janë për autoritete të tjera publike. Kjo gjeografi e ankesave tregon se rezistenca më e madhe për të dhënë llogari buron pikërisht nga qendra e qeverisjes, aty ku përqendrohet pushteti dhe buxheti më i madh.
Sipas vetë Komisionerit, refuzimet më të shpeshta lidhen me tema me ndikim të drejtpërdrejtë social dhe ekonomik. Institucionet duket se mbajnë informacionin për mënyrën se si shpenzohet buxheti publik, dosjet e lejeve të ndërtimit, si dhe të dhënat e ndjeshme të sektorit të shëndetësisë. Arsyet kryesore për refuzim kanë të bëjnë me të dhënat personale, sekretin tregtar dhe sekretin hetimor, që ka edhe numrin më të madh të rasteve të refuzimit të informacionit.
Ndërkohë, pavarësisht numrit të ankimeve dhe faktit që mjaft institucione zvarrisin për muaj me radhë dhënien e informacionit, ndëshkimet për këto shkelje janë minimale. Bilanci i sanksioneve tregon se Komisioneri ka marrë vetëm 33 vendime për numrin e ankesave duke iu referuar faktit se një pjesë janë zgjidhur gjatë procesit të ankimimit, nga të cilat 20 ishin urdhërime për dhënie informacioni, 11 refuzime dhe u dhanë vetëm 2 gjoba. Kjo mungesë e sanksioneve financiare është parë nga ekspertët dhe gazetarët si një prej arsyeve pse institucionet zgjedhin shpesh të shkelin ligjin me vetëdije.
Në dokument evidentohen si problematika “kërkesat voluminoze dhe komplekse” apo kërkesat që kanë “hark kohor shumëvjeçar”, duke argumentuar se këto kërkojnë angazhim shtesë.
Komisioneri ngre shqetësimin edhe për përdorimin e ligjit për të drejtën e informimit për pyetje dhe kërkesa për koment. “Kërkesa në formën e pyetjesh ose prononcimesh për media, drejtuar autoriteteve publike apo titullarëve të cilat tejkalojnë qëllimin e ligjit”, theksohet në raportin e IDP.
Rastet e kësaj natyre mund të vijnë nga mosnjohja e legjislacionit prej kërkuesve, por shpesh ndodh edhe pse institucionet këmbëngulin që edhe kërkesa të tilla të referohen përmes zyrës së koordinatorit, duke e përdorur këtë si mjet për të shtyrë përgjigjet për të paktën 10 ditë pune.
Zvarritja të qëllimshme
Të dhënat vjetore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit lënë të kuptohet se institucionet ndoshta kthejnë më shumë përgjigje për qytetarët e thjeshtë, por ato kujdesen që të stërmundojnë sistematikisht profesionistët e medias kur kërkojnë informacion me interes të lartë publik.
“Gazetarët të cilët lëvrojnë gazetarinë e thelluar rrjedhimisht kanë nevojë për informacionet, dokumentet dhe qëndrimet e institucioneve shtetërore, duke e kthyer gati në kusht dërgimin e kërkesës për Informacion, por ajo që marrin zakonisht përkthehet në zvarritje në kohë, përgjigje të cekëta dhe jo shteruese, duke dekujaruar gazetarët që ta ndjekin më tej për shkak të presionit të kohës,” tha Geri Emiri, drejtues i Amfora.al.
Gazetarët vënë në dukje se mjaft institucione i lënë kërkesat e gazetarëve tërësisht pa përgjigje, në pritje që ata të tërhiqen, “të harrojnë” apo që informacioni i kërkuar të humbasë aktualitetin.
“Kjo shpesh bën që një tematikë e caktuar ose të raportohet me shumë vonesë, ose të dalë jashtë kontekstit… Kjo taktikë, mendoj se shpesh është e qëllimshme, me synimin për të dekurajuar punën e gazetarëve,” thotë Elira Kadriu, ndërsa i referohet vonesave të institucioneve për të kthyer përgjigje, qoftë edhe refuzim të dhënies së informacionit.
Edhe Erblin Vukaj, redaktor në Citizens.al, thotë se shpesh heq dorë nga kërkesa dhe nga ankimi për shkak të kohës dhe pamundësisë për të ndjekur temën.
“Në tërësi e di që kjo do të më kërkonte kohë shtesë për të pritur dhe nga tema që kam ndjekur e kam gjykuar si të pamundur pritjen e mëtejshme në raport me vlerën e informacionit,” thekson Vukaj.
Ai shton se institucione si Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit apo Bashkia e Tiranës kanë krijuar një prirje për të mos dhënë informacion pa u ankuar. “Kjo ndërfutje në hallka burokratike kthehet në një torturë më vete dhe i ngjan një strategjie të mirëfilltë të institucioneve,” tha Vukaj.
Ky dekurajim i gazetarëve përkthehet në “statistika pozitive” në raportin e Komisionerit. Gazetari Isa Myzyraj e shpjegon paradoksin me tërheqjen e gazetarëve nga e drejta për të kërkuar zbatimin e ligjit.
“Kur procedurat janë të ndërlikuara dhe kërkojnë burime të konsiderueshme kohe, unë zgjedh të mos ndjek ankesat, duke krijuar te Komisioneri një perceptim të rremë mbi përmirësimin e situatës së transparencës,” analizoi Myzyraj.
Sipas tij, procesi i kërkimit të informacionit dhe ankimit te Komisionerit “nuk përputhet me natyrën e punës së gazetarëve, të cilët kanë nevojë për informacion të shpejtë dhe efektiv.”
Burokracia e zgjatur dhe fakti që institucionet rrallë ndëshkohen, ka bërë që një pjesë e gazetarëve të heqin dorë plotësisht nga ky mekanizëm ligjor.
“Mua më ka rënë besimi që do marr përgjigje, nuk dërgoj më kërkesa sepse e di që nuk marr përgjigje,” tha për BIRN gazetari Osman Stafa.
Gazetarë të tjerë vazhdojnë të shtyjnë përpara kufijtë e transparencës, që ndonjëherë ka rezultate dhe shpeshherë jo.
“Personalisht mendoj se ka shumë informacion që duhet të jetë publik, por nuk është i tillë. Gjithsesi, i shikoj kërkesat për informacion si një mundësi për të kuptuar më shumë. Shpeshherë kam marrë informacion të dobishëm prej tyre, ndërsa herë të tjera s’kanë përmbushur aspak pritshmëritë”, tha Ola Mitre, gazetare e çështjeve mjedisore, duke e konsideruar këmbënguljen si domosdoshmëri për rritjen e transparencës./ BIRN
