Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, gjatë një interpelance në Kuvend me deputetin e PD-së Klevis Balliu, bëri thirrje për kujdes në deklaratat dhe akuzat ndaj Policisë së Shtetit. Lamallari theksoi se, megjithëse ka problematika, nuk duhet përgjithësuar puna e uniformave blu.
Ministri nënvizoi se, sipas Komisioni Europian, Policia e Shtetit ndodhet në një fazë të thellë transformimi. Ai shtoi se raporti i vitit 2025 evidenton progres të qëndrueshëm të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit.
Në fjalën e tij, Lamallari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me agjenci të tjera ligjzbatuese, duke e cilësuar këtë si një element kyç në luftën kundër krimit. Ai iu referua gjithashtu Indeksit Global të Krimit të Organizuar, sipas të cilit Shqipëria paraqitet me rezistencë dhe kapacitete në rritje përballë paligjshmërisë dhe krimit të organizuar.
“Duhet të jemi kujdesshëm me deklaratat dhe akuzat ndaj uniformës së policisë. Nuk do të thotë se nuk ka probleme, po ka probleme. Ka shkelje dhe abuzime, ka nga ata që e kanë tradhtuar uniformën. KE ka evidentuar qartë se policia e Shtetit ka hyrë në fazë të transformimit të thellë. Komisioni në 2025 citon; Shqipëria ka shënuar progres të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit. Në fund të ditës, ndarja e informacionit në kohë reale, me agjenci të tjera ligjzbatuese, ka shumë rëndësi për ne. Indeksi global i krimit të organizuar, e paraqet Shqipërinë me rezistencë dhe kapacitete luftuese. Kapacitet janë në rritje dhe ka rezistencë ndaj paligjshmërisë, përballë krimit të organizuar. Porosia ime e parë e drejtuesit e agjencisë, ka qenë që të verifikohen të gjitha trupat e policisë, sidomos forca drejtuese. Janë 336 referime penale për shkelje brenda strukturave të policisë dhe agjencive të tjera. Kjo tregon se funksion agjencia. Kemi 444 punonjës të strukturave të referuar. Një e dhënë interesante vjen nga siguria publike, kemi 50% ulje të vrasjeve, krim tejet shqetësues. Lidhur me bashkësinë ndërkombëtar, Shqipëria është vlerësuar pozitivisht nga raportet ndërkombëtare, por dua të theksoj faktin se kemi 38% skuadra më shumë të hetimeve të përbashkëta dhe këto janë bërë të mundura fale operacione me EUROPOL. Policia e Shtetit s’ka pse të bëhet pjesë e narrativave politike, ka detyrim ligjor t’i shërbej vendit dhe qytetarëve e pandikuar nga akuzat dhe balta që përfshin këdo, të madh e të vogël, e pamë ditën e djeshme me zgjedhjen e drejtorit të ri të policisë së shtetit”, tha ai.
***
Nga foltorja e Kuvendit, deputeti demokrat Klevis Balliu, deklaroi se inkriminimi i Policisë së Shtetit është një realitet i njohur edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se, pavarësisht problemeve, në radhët e policisë ka ende efektivë të ndershëm që luftojnë krimin e organizuar. Sipas Balliut, raportet ndërkombëtare evidentojnë korrupsion, infiltrimin e krimit dhe dështimin e procesit të vetingut në polici.
Deputeti ngriti shqetësime edhe për intimidimin e gazetarëve dhe rritjen e fuqisë së karteleve shqiptare të drogës, duke e lidhur këtë me dobësinë e sundimit të ligjit dhe korrupsionin institucional.
Klevis Balliu: Përpara se të filloj këtë interpelancë, dua të bëj një sqarim të rëndësishëm. Pavarësisht situatës së rëndë dhe degradimit që ka pësuar Policia e Shtetit si pasojë e inkriminimit të saj, në lidhje me afera të shumta kriminale, edhe në veçanti me kartelet e drogës, brenda kësaj strukture ka ende efektiv të ndershëm që çdo ditë përballen me strukturat kriminale dhe me kartelet që siç thonë raportet ndërkombëtare, janë më të rrezikshmet në Europë. Shumë prej tyre, efektivëve të ndershëm, kanë rënë në krye të detyrës, pikërisht në përplasje me krimin e organizuar dhe me kartelet e drogës.
Beteja jonë për pastrimin e Policisë së Shtetit bëhet në interes të vendit, në interes të sigurisë të qytetarëve, por edhe në emër të atyre efektivëve të cilët kanë dhënë jetën në luftën kundër krimit të organizuar. Për ne sot nuk mund të rrimë pa folur dhe duhet thënë qartë, inkriminimi i Policisë së Shtetit nuk është një akuzë politike, por një fakt i njohur jo vetëm nga opinioni publik shqiptar, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë dhe kjo është një plagë e madhe kombëtare, sepse këtu nuk cënohet vetëm një institucion, por cënohet siguria e çdo qytetari dhe vetë siguria kombëtare. Raporti i zgjerimit i Komisionit Europian thekson qartë se Policia e Shtetit është ekspozuar në mënyrë serioze ndaj korrupsionit dhe infiltrimit të krimit të organizuar.
Edhe pse ekziston një proces vetingu në polici, raporti nënvizon se ai është i kufizuar dhe deri më sot nuk ka dhënë rezultatet e pritshme. Në shumë raste, ai duket më shumë si një mekanizëm selektiv në fakt, një gjueti shtrigash për të mbrojtur vetë sistemin e ngritur për inkriminimin e Policisë së Shtetit nga vetë kjo, nga vetë kjo qeveri. Raporti evidenton gjithashtu një problem shumë të rëndë. Në rastet kur zhvillohen hetime ndaj zyrtarëve të niveleve të larta, raportohen ndërhyrje dhe intimidime ndaj gazetarëve dhe mediave. Kjo është veçanërisht shqetësuese, pasi një pjesë e madhe e lidhjeve mes krimit të organizuar dhe politikës janë denoncuar pikërisht nga gazetaria investigative, nga gazetarë që me shumë kurajo kanë ekspozuar kartelet e drogës dhe krimin e organizuar, si dhe aktet kriminale të tyre. Po aq shqetësues është fakti se të njëjtat konkluzione përsëriten nga viti në vit. Raporti i vitit 2023 dhe raporti i fundit vazhdon të ketë të njëjtat probleme.
Në të njëjtën linjë është edhe raporti për narkotikët i Departamentit të Shtetit Amerikan, i cili evidenton rritjen eksponenciale të karteleve shqiptare të drogës dhe fuqizimin e tyre në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Raporti thekson se kjo rritje është bërë e mundur për shkak të dobësisë së sundimit të ligjit dhe korrupsionit në institucionet shtetërore. Faktorë që në praktikë po lehtësojnë trafikun e drogës dhe pastrimin e parave janë pikërisht këto: korrupsioni, marrëveshjet e qeverisë dhe politika e tyre në lidhje me kartelet e drogës dhe krimin e organizuar.
Edhe indeksi global i krimit të organizuar përmes indeksit tregon se inkriminimi i institucioneve të shtetit dhe bashkëpunimi i qeverisë me afera korruptive, të cilat përfaqësohen në disa raste edhe te prokurimet nga prestanome të bizneseve të individëve, segmenteve të lartë të krimit të organizuar, është një tjetër arsye pse sot trafiku i drogës jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë Europën po kontrollohet nga eksponentë të lidhur me Shqipërinë, me politikanë shqiptarë, me qeverinë shqiptare dhe pa diskutim, ku Policia e Shtetit si rrjedhojë e inkriminimit ka luajtur një rol shumë negativ.
Po japim disa raste. Keni rastin e Oltion Bistrit, ish-shefi i Operacionales, apo i Henigert Mitrit, drejtor i Policisë Lezhë, ku tregojnë qartë se si individë të niveleve të larta të policisë në bashkëpunim me krimin e organizuar, jo vetëm kanë marrë pjesë në akte kriminale dhe në trafikun e lëndëve narkotike, por ata kanë lehtësuar aktet kriminale të vetë organizatave, siç është rasti me Pllumb Gjokun. Këto raste jo akuza nga Partia Demokratike, jo nga opozita, por të evidentuara nga përgjimet e SPAK-ut, ku këta kriminelë dhe këta individë, bashkë me shumë aktorë të tjerë politikë rezultojnë të përfshirë në këto afera kriminale. Po ashtu, një tjetër rast që ka tronditur opinionin publik është ai i Erjon Ismailajt, ish-zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit, i cili u përfshi në aferën e Agjencisë Kombëtare…
