Ish-Presidenti i Kroaci, Stipe Mesić, i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ku shpreh solidaritetin e tij me Presidentin e PL-së, Ilir Meta, i cili ndodhet pas hekurave.
Në letrën e tij, Mesiç shprehet se ka mësuar “me trishtim” për atë që e cilëson si shkelje të të drejtave themelore të njeriut ndaj Ilir Metës gjatë procesit gjyqësor dhe për trajtimin në paraburgim.
“Jam thellësisht i trishtuar që të drejtat civile të z. Meta janë të kërcënuara”, shkruan ish-presidenti kroat në mesazhin drejtuar Blushit.
Mesiç u bën thirrje institucioneve shtetërore shqiptare që të garantojnë mbrojtjen e të drejtave themelore të ish-presidentit shqiptar, ndërsa kërkon edhe reagimin e organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave civile.
“Kërkoj nga të gjitha organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave civile të reagojnë pozitivisht”, thuhet në letrën e tij. Në fund të mesazhit, ish-presidenti kroat shpreh pritshmërinë për një reagim institucional lidhur me situatën e Ilir Metës.
