Paraqitja e fundit e Angelina Jolie në Javën e Modës në Shanghai në fund të marsit ka shkaktuar një valë reagimesh dhe teorish në rrjetet sociale. Aktorja 50-vjeçare u shfaq me një look të ri bjonde, e veshur me një fustan të bardhë të lirshëm në stil mëndafshi, me grim të theksuar në buzë dhe sy. Megjithatë, disa përdorues online nisën të spekulojnë se “diçka nuk shkonte” me pamjen e saj, madje duke hedhur teori se në vend të saj mund të ishte një dublante apo se ajo kishte kryer ndërhyrje estetike. Pavarësisht këtyre aludimeve, Jolie ka treguar shpesh se është e hapur për të folur për trupin dhe ndryshimet e saj. Vitin e kaluar, ajo u shfaq në kopertinën e TIME France, ku zbuloi publikisht shenjat nga mastektomia e dyfishtë parandaluese që kishte kryer më shumë se një dekadë më parë.
“Ndaj këto plagë me shumë gra që i dua”, është shprehur ajo në një intervistë, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit për shëndetin e gjirit dhe parandalimin e kancerit. Në planin personal, jeta e saj vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes pas divorcit të bujshëm nga Brad Pitt. Së fundmi, janë shtuar spekulimet për një lidhje të mundshme me aktorin francez Louis Garrel, me të cilin bashkëpunoi në filmin “Couture”.
Dyshja xhiroi filmin në Paris gjatë periudhës nëntor 2024 – shkurt 2025, ku përfshihej edhe një skenë intime. Megjithatë, burime për mediat kanë mohuar çdo romancë, duke theksuar se ata janë thjesht miq dhe se Jolie mbetet beqare. Ndërkohë, paraqitja e saj në Shangai vijon të jetë temë diskutimi, duke treguar edhe një herë ndikimin e madh që aktorja ka në publik dhe rrjetet sociale.
