Ministria e Jashtme ka ngritur alarmin se persona të paidentifikuar kanë krijuar një faqe të rremë në internet, e cila paraqitet si platformë për aplikimin e vizave shqiptare, duke rrezikuar të mashtrojë qytetarët e huaj që synojnë të pajisen me dokumentacion të rregullt hyrjeje në vend.

Sipas të dhënave të bëra publike, kjo faqe imiton përmbajtjen dhe strukturën e platformës zyrtare të aplikimit për vizë, duke publikuar materiale dhe informacion të ngjashëm me ato institucionale.

Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria u bën thirrje të gjithë shtetasve të huaj dhe të interesuarve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të përdorin vetëm kanalet zyrtare për aplikime dhe informacione, në mënyrë që të shmangin çdo formë abuzimi apo mashtrimi të mundshëm.

Ndërkohë, organet e sigurisë kibernetike dhe strukturat ligjzbatuese kanë nisur verifikimet dhe po ndërmarrin masa konkrete për bllokimin e aktivitetit të paligjshëm, si dhe për identifikimin dhe ndjekjen e personave përgjegjës në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Njoftimi:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) njofton se, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura në internet, është konstatuar ekzistenca e faqes: https://evisia-al.com/albaniavisaenquirylive/ e cila përmban materiale dhe informacion të ngjashëm me ato të publikuara në faqen zyrtare të aplikimit për vizë hyrjeje të shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë.

Në këtë kuadër, sqarojmë se faqja e sipërcituar nuk është faqe zyrtare dhe nuk është e autorizuar nga autoritetet shtetërore shqiptare për të ofruar informacion apo shërbime lidhur me procedurat e vizave.

Theksojmë se faqja e vetme zyrtare për aplikimet për vizë elektronike shqiptare, së cilës duhet t’i drejtoheni, është:
https://e-visa.al/
MEPJ u bën thirrje qytetarëve dhe të interesuarve të tregojnë kujdes maksimal dhe të përdorin vetëm burime zyrtare për aplikime dhe informacion, me qëllim shmangien e

çdo abuzimi të mundshëm.

Organet e sigurise kibernetike dhe autoritetet ligjzbatuese po marrin masa për të bllokuar cdo aktivitet të paligjshëm si dhe gjurmimin dhe ndjekjen e personave përgjegjes sipas legjislacionit në fuqi. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke e ndjekur këtë çështje me qëllim marrjen e masave të nevojshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb