Kryeministri Edi Rama në një takim me sipërmarrës shqiptarë deklaroi se ndërtimi po sulmohet vazhdimisht, duke shtuar se këtë sektor “e kanë futur në kornizën e akuzave për lidhjet me krimin”.
Ai tha se këto akuza janë të neveritshme, ndonëse si fenomen është i përhapur edhe në vendet e tjera të Europës.
“Erdhëm këtu pikërisht për të parë se si është rritur kompania, çfarë ka bërë ndër vite dhe se si sot, ka vende pune të cilat paguhen njësoj si në Europë. Kur them në Europë, them atë fqinje, jo Francën dhe Gjermaninë, por një sërë vendesh. Kemi dëshirë të flasim se si ky realitet transformues mbështet rritjen e vetë te ekonomia që rritet. E pamë të udhës që t’i kërkojmë themeluesit të kompanisë, prezantimin e projekti të ri. Bëjmë një diskutim të dyanshëm, se çfarë është bërë deri tani deri te projekti i të ardhmes. Kjo është pasqyrë e sektorit të zhvillimit, që sjell shumë të mira. Por nga ana tjetër, për fat të keq, ky sektor sulmohet kur shfaqet me sukses, që goditet kur shfaqet si ndryshim. Që mbulohet me baltë kur shfaqet si një shenjë e të nesërmes. Është sektor që merr në mënyrë të vazhdueshme goditje, baltë, sulme dhe lëndon shumë protagonistë të tij. Edhe në sektorin e ndërtimit, ashtu si në çdo vend tjetër, përfshirë dhe vendet që na bëjnë leksione nesh. Problemet këtu në Shqipëri janë më të mprehta në disa raste seç janë në vendet e tjera. Jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër. Është e qartë si drita e diellit dhe është e çmuar si djersa e dhjetëra mijëra njerëzve. Por ky sektor bëhet i dukshëm sapo vjen dikush në Shqipëri. Por ta fusim në kornizën e krimit, është e neveritshme dhe e papranueshme. Ja kush është njëri nga ata që është pas këtyre projekteve. Është e pamundur për disa që të pranojnë suksesin, por është e pamundur që të gjithë ata që janë në sektorin e ndërtimit të futen në thesin e baltës. Ka disa fakte të rëndësishme për t’u nënvizuar. Vetëm nga ky projekt, ende pa nisur puna, bashkia e Tiranës ka marrë 14 mln euro taksë. Vetëm nga ky projekt! 14 mln euro janë një shumë e konsiderueshme. Në këtë projekt, kur të bëhet realitet, qyteti do të fitojë çerdhet, kopshtin dhe bashkia e Tiranës mund të fitojë një shkollë. Angazhimi i investitorit do të ndërtojë dhe shkollën kur t’i jepet trualli.”, tha ai.
