Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, denoncoi sot në Kuvend kryeministrin Edi Rama se urdhëroi Gjykatën e Lartë për të ndaluar me vendim arrestimin e zyrtarëve të korruptuar dhe jo vetëm kaq, por edhe lirimin e tyre nga qelitë.

Shehaj tha se Rama nëpërmjet Parlamentit pengoi arrestimin e Ballukut nga SPAK për korrupsion dhe abuzim detyre, më pas tentoi në Kushtetuese dhe tani e bëri në Gjykatën e Lartë.

“Ajo që është e pabesueshme, ndërkohë që Rama ka ngritur problemin, sot, pas 15 vitesh, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë janë mbledhur për të diskutuar problemin e Ramës. Kjo është çmenduri, Rama ka kërkuar të shikojë vendosjen e paraburgosjes me masë sigurie, me urdhër të Ramës, e teksa ju shijoni jetën jashtë prej milioneri, Rama i ka premtuar Veliajt e Beqajt bashkë me të tjerët se do i nxjerri nga burgu. Ai jep mesazh të tijve që mos të tremben se po gjen zgjidhjen që të mos burgosurve. Sot Gjykata e Lartë po diskuton të ndalojë arrestimin dhe paraburgosjet. Madje përdori Parlamentin për të ndaluar arrestrimin e të korruptuarve, tani po përdor Gjykatën e Lartë”, tha Shehaj.

Më tej ai ironizoi kreun e qeverisë dhe mazhorancën për deklaratat se nuk ka problem korrupsioni, por ka rritje ekonomike.

“Lufta kundër korrupsionit është thelbësore. Rama thotë s’është problem korrupsioni se po rritet ekonomia. Për 1 mln shqiptarë që ikën nga vendi nuk po rritej ekonomia, por po rritej për Ballukun e Beqajt. Nuk ka një të vetëm zyrtar të mazhorancës ose në hetim ose në burg. Shqipëria është e zhytur në korrupsion. Janë dy zv/kryeministra të akuzuar për korrupsion, njëra këtu dhe tjetri në arrati, por edhe të tjerët”, vijoi ligjvënësi.

Shehaj vuri në dukje edhe lëvizjet e çuditshme të mazhorancës me forcën e kartonit për të penguar drejtësinë në hetimin dhe goditjen e korrupsionit në Shqipëri.

“Në këtë Parlament ju keni ndaluar arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, jeni bërë palë me të korruptuarit, si mund të flisni ju për zbatimi i ligjit. Jeni të pabesueshëm, nuk jeni me ligjit, por me të korruptuarit. Sepse tallja më e madhe që mund të bësh është të vish këtu e të thuash se edhe në Zvicër ka korrupsion e pastrojnë para, e ça problemi ka, ky është mashtrim i madh. Vini e na jepni mend këtu, se ça problemi ka që ikin shqiptarët, se edhe në Zvicër ikin, po edhe në Itali ikin, por jo mbi 1 milionë shqiptarë të ikin në dhjetë vite. Asnjë vend nuk gjen me zero korrupsion, po kjo s’do të thotë se s’ka Shqipëria korrupsion”, tha ai.

Më tej i dha edhe përgjigje pyetjes retorike se pse u ndalua arrestimi i Ballukut.

“Pse e ndaluat arrestimin e Belinda Ballukut, pse doni të nxirrni të korruptuarit nga burgu? Pse pengoni drejtësinë. Sepse jeni me të korruptuarit, kjo është e vërteta”, përfundoi Shehaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb