Teksa Gjykata e Posaçme ka nisur shqyrtimin e akuzave penale ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar për të tretën herë Gjykatës Kushtetuese. Më herët, ai fitoi në Kushtetuese të drejtën e rikthimit në detyrën e kryebashkiakut, ndërsa pret të përballet në seancën e 20 majit për masën e sigurisë, duke synuar lirinë dhe rikthimin në detyrë. Ndërkohë, përmes një kërkese të re të depozituar këtë të premte në gjykatë, Veliaj këmbëngul për shfuqizimin e vendimit nr. 29, datë 09.02.2026, të Gjykatës së Posaçme për kalimin në gjyq të dosjes së tij penale, si dhe për pavlefshmërinë e të gjitha veprimeve të kryera mbi bazën e këtij vendimi.

“Ky proces është zhvilluar në shkelje të rëndë të të drejtave themelore. Z. Veliaj dhe mbrojtjes së tij i është mohuar koha reale për të analizuar një dosje me dhjetëra mijëra faqe, duke e reduktuar mbrojtjen në një formalitet; Parimi i barazisë së armëve është cenuar, pasi prokuroria ka vepruar në avantazh të plotë procedural; Gjykimi është zhvilluar në kushte që cenojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës; Z. Veliaj është trajtuar në mënyrë të tillë që cenon prezumimin e pafajësisë dhe dinjitetin njerëzor, përfshirë mbajtjen në kushte izolimi gjatë seancave ku ai duhet të mbrohet i lirë”, tha përmes një deklarate për mediat avokati i tij, Plaent Ndreca.

Ndërsa në kërkesën prej 60 faqesh të dorëzuar në Gjykatë, Ndreca thotë se vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq është marrë mbi një proces të kompromentuar në themel, duke prodhuar një proces antikushtetues dhe, për rrjedhojë, të pavlefshëm, i cili nuk mund të prodhojë pasoja juridike të vlefshme.

Erion Veliaj është i pandehur nga SPAK për 13 akuza penale, si korrupsion, pastrim parash, fshehje e pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje e sendeve të paligjshme në burg. SPAK e akuzon Veliaj se në detyrën e kryebashkiakut ka favorizuar biznesmenë të ndryshëm, të cilët kanë injektuar para në formën e ryshfetit në kompanitë e kontrolluara në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb