Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një vendim të ri që i hap rrugë shfrytëzimit ekonomik të bazës së njohur detare të Pashalimani, përmes një bashkëpunimi me sektorin privat.

Sipas vendimit, shoqëria shtetërore KAYO do të hyjë në negociata me kompani private për krijimin e një shoqërie të përbashkët aksionare, e cila do të operojë në fushën e ndërtimit dhe riparimit të mjeteve lundruese, si për qëllime ushtarake ashtu edhe civile.

Në marrëveshjen e re, shteti shqiptar do të mbajë rreth 40% të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër do t’i përkasë partnerit privat. “KAYO” do të kontribuojë në këtë sipërmarrje me pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të kantierit detar të Pashalimanit, të cilat do të jepen në përdorim pa të drejtë tjetërsimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Vendimi parashikon gjithashtu që partneri privat të sigurojë transferim teknologjie, ekspertizë, projekte konkrete zhvillimi, si dhe mbështetje për trajnimin e personelit shqiptar. Një tjetër kusht i rëndësishëm është garantimi i një rrjeti për shpërndarjen dhe eksportin e mjeteve lundruese të prodhuara.

Siguria e infrastrukturës dhe e personelit në këtë projekt do të garantohet nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

VENDIMI:

V E N D I M PËR MIRATIMIN E KUSHTEVE TË NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI PRIVATE, PËR KRIJIMIN E NJË SHOQËRIE TË PËRBASHKËT, ME QËLLIM NDËRTIMIN E RIPARIMIN E MJETEVE MOTORIKE LUNDRUESE USHTARAKE DHE CIVILE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë “KAYO”, sh.a., me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët për ndërtimin e riparimin e mjeteve motorike lundruese ushtarake dhe civile, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 40% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.
3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar me pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të ndodhura në kantierin detar të Pashalimanit, pasuri, të cilat do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
4. Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti, me të cilin negocion, minimalisht:
a) transferimin e njohurive teknike, si edhe të praktikave operacionale dhe të procedurave të brendshme lidhur me ndërtimin e riparimin e mjeteve lundruese;
b) ofrimin e projekteve dhe të kontratave për ndërtimin e mjeteve lundruese në kantierin detar të Pashalimanit;
c) vënien në dispozicion të shoqërisë aksionare, që do të krijohet, të burimeve njerëzore dhe mbështetjen teknike e logjistike për ndërtimin e riparimin e mjeteve lundruese në kantierin e Pashalimanit;
ç) ofrimin e trajnimeve të personelit shqiptar lidhur me ndërtimin e riparimin e mjeteve lundruese;
d) ofrimin e asistencës për përshtatjen e kurrikulave mësimore lidhur me aktivitetin e riparimit e të ndërtimit të mjeteve lundruese për institucionet arsimore në Republikën e Shqipërisë;
dh) sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së mjeteve motorike lundruese detare, në rast eksporti.
5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përfshijë ndërtimin e riparimin e mjeteve motorike lundruese ushtarake dhe civile për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë, si dhe për përdorim civil.
6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se administratori/ët i/e shoqërisë, që do të krijohet, do të zgjidhet/n me dakordërsinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.
7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, minimalisht, 40% të këshillit drejtues ose të këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.
8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a, në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
9. Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore të dala nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
10. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb