Goditje për Maks Vershtapenin dhe vazhdimësinë e tij në Formula 1. Sipas mediave “De Telegraaf”, Xhanpiero Lambiase, inxhinieri i garës së pilotit holandez te Red Bulli, ka pranuar një ofertë marramendëse nga MekLaren për t’u bërë pjesë e tyre, duke lënë rolin e tij si bashkëpunëtori më i afërt i katër herë kampionit të botës. Lajm që është konfirmuar gjithashtu edhe nga gazeta “MARCA”, e cila bën të ditur se marrëveshja tashmë është reale.
Sipas raportimeve, tekniku italian është joshur nga skuadra e MekLareni për të marrë rolin e drejtorit Andrea Stelës në vitin 2028, pasi kontratat e tyre përkatëse përfundojnë në fund të vitit 2027. Një tjetër mundësi është që ai të bashkëpunojë ngushtë me Stelën. Lëvizja nuk mund të ndodhë më herët për shkak të periudhës së detyrueshme të pauzës mes kontratave. Lambiase është një figurë kyçe për Vershtapenin, me të cilin ka fituar katër tituj botërorë që nga ardhja e pilotit te skuadra austriake.
Largimi i tij mund të jetë një arsye shtesë që holandezi të largohet nga Formula 1. Lambiase do të ndjekë kështu gjurmët e Rob Marshall dhe Uill Kurtnej, të cilët së fundmi janë transferuar nga në ekipin “papaya”. Kjo përfaqëson një tjetër humbje për skuadrën e pijeve energjike, e cila kohët e fundit ka parë largimin edhe të figurave të rëndësishme si Helmut Marko, Kristian Horner dhe Adrian Njuei.
MARRËDHËNIE E SHKËLQYER
Për Vershtapenin, italiani është thelbësor, siç e theksoi edhe në shtatorin e kaluar në rrjetet sociale të ekipit: “Nëse më thonë tani që duhet të ndërroj inxhinierin e garës, do ta kisha shumë të vështirë ta pranoja, sepse kam një marrëdhënie të shkëlqyer. Pothuajse nuk kam nevojë të flas me të, sepse ai e di saktësisht çfarë më duhet nga makina. Kjo reflektohet edhe në komunikimin me radio. Sigurisht, ndonjëherë kemi edhe diskutime të nxehta, por në fund gjërat funksionojnë shumë mirë. Në momentet më të vështira të garës, gjithmonë arrijmë të nxjerrim maksimumin”, shprehej Vershtapen
