Partizani nuk e ka nisur në mënyrën e duhur këtë fazë të fundit të kampionatit, me ekipin që në tre ndeshje është ndalur në kuotën e vetëm dy pikëve si pasojë e barazimeve 2-2 ndaj Vorës e Teutës dhe më pas disfata në “Arenën e Demave”, ndaj Vllaznisë me rezultatin 0-2.
Rezultate këto të cilat kanë vendosur deri diku në presion skuadrën, sidomos kur dihet që gara në këtë sezon është mjaft e ashpër me diferencat ndërmjet skuadrave që janë minimale. Në këto ndalesa të Partizanit ka ditur të përfitojë Dinamo, që ka shkurtuar në vetëm një pikë diferencën me të kuqtë në klasifikim, nga katër pikë që ishte deri para dy javësh.
Ajo që ka rënë në sy te Partizani kanë qenë problemet në mbrojtje, të përsëritura shpeshherë përgjatë këtij sezoni, probleme që lidhen më së shumti me përqendrimin në situata të caktuara të lojës, teksa kryeqytetasit kanë nisur të pësojnë edhe nga goditjet standarde që kanë qenë një pikë e fortë e tyre. Megjithatë, pavarësisht mbrojtjes, edhe sulmi nuk kalon pa përgjegjësi.
Kjo sepse në katër golat e fundit që janë shënuar nga Partizani në këto tre javë të fazës së katërt, vetëm një prej tyre është shënuar nga një sulmues. Bëhet fjalë për realizimin e Xhuliano Skukës ndaj Teutës, teksa në sfidën me Vorën shënoi Dumbia dhe më pas erdhi një autogol i vorakëve, ndërsa golin tjetër ndaj Teutës e shënoi një mbrojtës si Altin Bytyçi.
Për të kaluar më pas në ndeshjen me Vllazninë, ku Partizani pavarësisht se krijoi, nuk mundi të shënonte, duke nxjerrë në pah kështu faktin se reparti ofensiv dhe emrat që e përbëjnë atë nuk po kalojnë momentin më të mirë të mundshëm, sigurisht kjo e ndikuar edhe nga problemet fizike që kanë pasur lojtarët.
Kujtojmë se në ndeshjen me Vorën e Vllazninë, Skuka nuk ka qenë fare prezent, ndërsa nga ana tjetër në dy takime ka munguar edhe Vusal Isgandarli, në atë ndaj Vorës e Teutës. Sakaq, në ndeshjet e fundit ka pasur një “ngërç” edhe te Seku Sidibe. Sulmuesi i afruar në merkaton e janarit e nisi shumë mirë aventurën në kryeqytet me 17-herë kampionët e Shqipërisë, duke realizuar katër gola në gjashtë ndeshjet e para të tij mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë.
Megjithatë, në pesë takimet e fundit (katër prej tyre në kampionat), është ndalur dhe kundërshtarët kanë mundur që ta neutralizojnë, pavarësisht se në ndeshjen kundër Vllaznisë, belgu me origjinë nga Bregu i Fildishtë pati një shans ideal për t’u rikthyer te goli, por shpërdoroi. Nga ana tjetër, Partizani ka vuajtur edhe mungesën e David Fadairos si një alternativë ekstra për sulmin.
Lojtari i transferuar nga Teuta në muajin janar theu dorën në ndeshjen me Vorën dhe mbetet ende jashtë fushave. Sakaq, Toma dhe Kontreras nuk kanë mundur të bëjnë shumë në këto ndeshje, duke qenë tepër të izoluar e duke mos pasur të njëjtin rendiment si në pjesën e parë të sezonit.
Një alternativë më shumë për trajnerin Oltijon Kërnaja do të jetë Albers Keko, por me këtë të fundit duhet treguar kujdes në minutazhin e dhuruar në fushë, duke qenë se sapo është kthyer nga një dëmtim i rëndë.
