7 javë përpara fundit të La Liga, Barcelona qëndron e qetë në krye, +9 pikë në raport me Real Madrid, një diferencë shumë e madhe që e bën titullin në Spanjë një formalitet. Pas suksesit me “poker” golash në derbi përballë Espanyol, të gjithë në radhët e Barcelonës janë të fokusuar totalisht te përballja ndaj Atletico Madrid në Champions League, ku kërkohet një mrekulli për të përmbysur humbjen 2-0 në sfidën e parë.

Ndryshe nga mediat dhe opinioni, Hansi Flick nuk e sheh kështu, në sytë e tij nuk duhet një mrekulli për të përmbysur Atletico-n: “Nuk na duhet një mrekulli, na duhet të zhvillojmë një ndeshje të mirë dhe ne jemi të aftë për ta bërë këtë. Gjithçka është e mundur. Atletico është një skuadër fantastike, por dhe ne jemi një skuadër shumë e mirë dhe e aftë për t’ia dalë në Madrid”, u shpreh Flick.

Tekniku gjerman u pyet edhe në lidhje me garën për titull në La Liga: “Asgjë nuk ka mbaruar, por nëntë pikë janë një avantazh i mirë, tani na mbetet vetëm të mbyllim llogaritë”, theksoi Hansi Flick.

Lajmi i mirë për Hansi Flick është forma që Lamine Yamal shfaqi ndaj Espanyol me sulmuesin spanjoll që dhuroi dy asiste dhe shënoi një gol. Ashtu si Flick, edhe Lamine Yamal beson te përmbysja. Ylli spanjoll publikoi së fundmi një foto të legjendës Lebron James të vitit 2016, kohë në të cilën ylli i NBA udhëhoqi ekipi e tij Cleveland Cavaliers në përmbysje epike ndaj Golden State Warriors në një titull që konsiderohej i pamundur pasi ishin në disavantazh 3-1.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb