Fitore me peshë për Fiorentina, që hedh një hap të madh drejt mbijetesës në Serie A. Vjollcët mposhtin 1-0 Lazio dhe ngjiten në kuotën e 35 pikëve, duke u shkëputur ndjeshëm nga zona e rënies, gjashtë javë nga fundi.
Një sukses edhe më i vlefshëm për skuadrën e drejtuar nga Paolo Vanoli, që erdhi pavarësisht mungesave të rëndësishme si Moise Kean, Albert Gudmundsson dhe Nicolò Fagioli.
Ndeshja nis me presionin e Lazios, ku Mattia Zaccagni i afrohet golit, por ndalet nga një pritje vendimtare e David de Gea. Por momenti kyç vjen në minutën e 28-të: krosim nga e djathta dhe goditje me kokë e Robin Gosens, që mposht portierin kundërshtar dhe i jep avantazhin vendasve.
Në pjesën e dytë, trajneri Maurizio Sarri përpiqet të reagojë me disa zëvendësime, duke futur energji të re në fushë. Megjithatë, është sërish Fiorentina që rrezikon më shumë, me Harrison protagonist në disa aksione të rrezikshme.
Rasti më i mirë për Lazion vjen me Noslin, por tentativa e tij kalon ngushtë jashtë. Edhe përpjekjet e fundit, përfshirë ato të Pedro, nuk ndryshojnë fatin e takimit.
Në fund, festa është e gjitha për Fiorentinën: 11 pikë në 5 ndeshjet e fundit dhe një hap i rëndësishëm drejt qëndrimit në elitë. Nga ana tjetër, Lazio mbetet në vendnumëro dhe tashmë e ka mendjen te përballja e radhës në Kupë ndaj Atalanta.
