Irani nuk synon përshkallëzim ushtarak, por mbetet i hapur ndaj dialogut për zgjidhjen e tensioneve ndërkombëtare, ka deklaruar presidenti Masoud Pezheskian.

Sipas agjencisë shtetërore IRNA, kreu i shtetit iranian theksoi se Teherani preferon rrugën diplomatike dhe jo përballjen ushtarake, në një kohë kur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara mbeten të tensionuara.

“Nuk kërkojmë luftë, por dialog”, është shprehur ai, duke shtuar se Irani nuk do t’i nënshtrohet presioneve apo ultimatumeve nga Uashingtoni. Sipas tij, çdo përpjekje për të imponuar vullnetin amerikan ndaj Teheranit është e destinuar të dështojë.

Në deklaratat e tij, Pezheskian kritikoi gjithashtu veprimet ushtarake që, sipas tij, dëmtojnë civilët dhe infrastrukturën jetike, duke ngritur pikëpyetje mbi përputhshmërinë e tyre me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet humanitare.

Një ditë më parë, presidenti iranian u kishte bërë thirrje vendeve evropiane të intensifikojnë përpjekjet për të nxitur dialogun me SHBA-në. Gjatë një bisede telefonike me presidentin francez Emmanuel Macron, ai theksoi se Irani është i gatshëm të vijojë negociatat brenda kuadrit të rregullave ndërkombëtare.

Sipas tij, Evropa mund të luajë një rol kyç në lehtësimin e një marrëveshjeje, duke inkurajuar rikthimin e palëve në tryezën e bisedimeve dhe shmangien e një përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: