Grigels Muçollari, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, ka reaguar në lidhje me zjarrin që përfshiu ditën e djeshme pallatin në zonën e farmacisë 10 në Tiranë.

Në një deklaratë nga selia blu, Muçollari u shpreh se ngjarja e rëndë është drejtpërdrejtë e një modeli të dështuar zhvillimi urban, ku për vite me radhë janë dhënë leje ndërtimi pa standarde.

Deklarata e plotë:
Zjarri i rëndë dje në Tiranë nuk është një rastësi tragjike. Është pasojë direkte e një modeli të dështuar zhvillimi urban, ku për vite me radhë janë dhënë leje ndërtimi pa standarde, pa kontroll dhe pa respektuar sigurinë minimale të qytetarëve.
Kjo ngjarje konfirmon një problem të njohur: në vend të standardeve reale të sigurisë, është ndërtuar një kulturë fasadash. Pallate që duken bukur nga jashtë, por që në thelb nuk garantojnë as minimumin e sigurisë për banorët. Fasada që zbukurojnë qytetin sa për sy e faqe, por që në raste emergjencash kthehen në rrezik real për jetën.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me modelin e ndërtimit të kryeqytetit gjatë ‘dekadave Rama’. Tirana nuk po zhvillohet mbi bazë planifikimi urban dhe interesi publik, por sipas një qasjeje të centralizuar grabitëse, ku vendimmarrja për zhvillimin e qytetit ndikohet nga vullneti i një njeriu me klikën e tij, dhe jo nga standardet profesionale.
Njëkohësisht, është konsoliduar një model ekonomik i mbështetur te betonizimi intensiv, ku çdo hapësirë shfrytëzohet për ndërtim, shpesh në mungesë transparence dhe kontrolli efektiv. Ky model ka prodhuar një qytet të mbingarkuar, me densitet të lartë dhe me rreziqe të shtuara për sigurinë urbane.
Ngjarja e djeshme dhe rastet e përsëritura tregojnë se paralajmërimet kanë ekzistuar, por nuk janë marrë masa. Nuk janë ndaluar materialet e rrezikshme, nuk janë kontrolluar standardet dhe nuk është mbajtur përgjegjësi.
Fakti që për një zjarr në një pallat mobilizohen struktura nga disa bashki tregon qartë mungesën e kapaciteteve dhe dobësinë e sistemit. Një kryeqytet që nuk përballon dot emergjencat me burimet e veta, ka dështuar në funksionet bazë.
Përgjegjësia nuk është vetëm teknike. Ajo është politike dhe institucionale. Lejet e ndërtimit, kontrolli i zbatimit dhe garantimi i standardeve janë detyrë e institucioneve publike. Kur këto dështojnë, përgjegjësia shkon në nivelet më të larta të vendimmarrjes.
Deklarata e kryeministrit nuk është gjë tjetër përveç se një tentativë për te fshehur përgjegjësin e vërtete i cili ne fakt është vete ai.
Partia Demokratike kërkon:
Hetim të plotë dhe të pavarur për këtë ngjarje dhe rastet e mëparshme të ngjashme;
Verifikim të menjëhershëm të materialeve të përdorura në fasadat e pallateve ekzistuese;
Ndërhyrje urgjente për zëvendësimin e fasadave të rrezikshme;
Auditim të lejeve të ndërtimit dhe të respektimit të kushteve teknike;
Rritje të kapaciteteve të shërbimeve zjarrfikëse dhe emergjencave civile;
Ndryshim rrënjësor të modelit të zhvillimit urban.
Ky është një moment që kërkon reflektim dhe veprim.
Modeli i fasadës ka dështuar.
Ndryshimi i kësaj qasjeje është domosdoshmëri.
Tirana duhet të rikthehet në një kryeqytet funksional, të sigurt dhe të jetueshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb