Në vitin 2002, Edi Rama, asokohe kryebashkiak i Tiranës, deklaronte se jetonte në dhomën e lënë bosh nga vëllai i tij që ishte emigrant në Amerikë dhe siguronte se do të vazhdonte të jetonte në modesti, gjë të cilën shqiptarët do të kishin mundësi ta shihnin.

“Sot jetoj në dhomën që ka lënë bosh vëllai im që është emigrant në Amerikë dhe unë do jem këtu dhe qytetarët e Tiranës do kenë mundësi të shohin se ku do të jetojë Edi Rama edhe nesër”, tha Rama në vitin 2002.

Sot që Rama mbush 13 vite në krye të qeverisë (pa përfshirë vitet si kryebashkiak i Tiranës), kontrasti është i dukshëm. Ai sot jeton në sarajin e tij në Surrel, që nuk dihet sa ka kushtuar dhe si u financua.

Ndërkohë, shumë prej atyre që protestojnë në shesh, jetojnë ende në shtëpitë e prindërve, të të afërmve që kanë emigrantë, ose me qira, sepse blerja e një banese është bërë pothuajse e pamundur. Çmimet e apartamenteve janë rritur në nivele të papërballueshme, pagat dhe mundësitë ekonomike janë jashtëzakonisht të ulëta, ndërsa shumë njerëz janë të papunë. Në administratë punësohen njerëz me biznese që i shërbejnë me besnikëri qeverisë.

Për të rinjtë blerja e një shtëpie është kthyer në një ëndërr, pothuajse të paarritshme. Edhe duke punuar për gjithë jetën, me punë të ndershme, të rinjtë e kanë të vështirë të sigurojnë një banesë dhe të ndërtojnë familjen e tyre në Shqipëri.

Kjo është arsyeja pse ata dalin sot në protestë. Jo për të kërkuar privilegje, por për të kërkuar atë që duhet të ishte normale, një shtëpi modeste, një punë e një pagë të ndershme, mundësinë për të krijuar familje dhe për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.
Protestojnë sepse refuzojnë të jenë të huaj në vendin e tyre. Sepse duan një Shqipëri ku mundi dhe puna e ndershme të shpërblehen me një jetë dinjitoze, ku të kesh një shtëpi të mos jetë një ëndërr e paarritshme dhe ku të rinjtë të mos detyrohen ta kërkojnë të ardhmen larg atdheut. Mbi të gjitha, protestojnë sepse besojnë se qeverisja duhet të mbajë përgjegjësi përballë qytetarëve, sidomos kur shumicës i kërkohet të sakrifikojë çdo ditë më shumë, ndërsa një pakicë në pushtet pasurohet dhe privilegjohet gjithnjë e më tepër.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: