Shqipëria U-16 e vajzave luajti mesditën e kësaj të enjteje ndeshjen e tretë dhe të fundit të turneut UEFA Development për këtë grupmoshë kundër Italisë. Përballja e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” përfundoi me fitoren 0-6 të përfaqësueses italiane.

Trajnerja Cyme Lulaj aktivizoi këtë formacion titullar: Reshiti (GK), Rrahimi, Hoxha, Gola, Kronaj, Repaj, Celaj, Hasanaj E., Hasanaj T., Morina dhe Gjaferraj.

Vajzat kuqezi u përballën me një kundërshtare mjaft cilësore, duke pësuar dy gola në pjesën e parë, ndërsa në disa momente tentuan të dalin përpara dhe të krijojnë raste. Në pjesën e dytë, italianet realizuan edhe katër gola të tjerë, duke mbyllur sfidën me rezultatin përfundimtar 0-6.

Përtej rezultateve, pjesëmarrja në këtë turne mbetet një hap i rëndësishëm në zhvillimin e skuadrës, duke i dhënë mundësi stafit teknik të testojë elementë të rinj dhe lojtareve të fitojnë eksperiencë ndërkombëtare përballë ekipeve të nivelit të lartë europian.

Në turneun “UEFA Development” që u zhvillua në Shqipëri nën kujdesin dhe organizimin e FSHF morën pjesë ekipet e Uellsit, Italisë, Norvegjisë dhe Shqipërisë U-16.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb