Kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me presion të fortë politik, ndërsa kërkon një rrugëdalje nga kriza e shkaktuar nga zbulimet mbi emërimin e Peter Mandelson si ambasador në SHBA, pavarësisht lidhjeve të tij me Jeffrey Epstein. Në një përpjekje për të menaxhuar situatën, Starmer ka shkarkuar zyrtarin më të lartë civil të Ministrisë së Jashtme, Ollie Robbins, i cili drejtonte shërbimin diplomatik. Vendimi erdhi pasi u zbulua se zyra e tij nuk kishte informuar kryeministrin se Mandelson nuk kishte kaluar verifikimin e sigurisë përpara emërimit.

Sipas raportimeve të BBC, Starmer dhe ministrja e Brendshme Yvette Cooper kishin humbur besimin tek Robbins. Një zëdhënës i kryeministrit konfirmoi se Ministria e Jashtme kishte lejuar Mandelson të merrte detyrën “pavarësisht këshillave të agjencive të sigurisë”, ndërsa theksoi se as Starmer dhe as anëtarët e qeverisë nuk kishin dijeni për këtë fakt deri vonë.

Mandelson ishte shpallur ambasador në dhjetor 2024 dhe mori detyrën në shkurt 2025, por u shkarkua vetëm shtatë muaj më vonë, pasi dolën në dritë lidhjet e tij me Epstein. Opozita ka reaguar ashpër. Udhëheqësja konservatore Kemi Badenoch e akuzoi Starmer për “tradhti ndaj sigurisë kombëtare”, duke kërkuar dorëheqjen e tij. Edhe lideri i Liberal Demokratëve Ed Davey deklaroi se nëse kryeministri ka mashtruar Parlamentin, ai duhet të largohet.

Megjithatë, zyrtari i lartë qeveritar Darren Jones tha se Starmer nuk po e shqyrton dorëheqjen dhe se pozicioni i tij nuk është në rrezik. Nga ana tjetër, ish-ministri i Jashtëm konservator James Cleverly e cilësoi shkarkimin e Robbins si një përpjekje për ta përdorur atë si “kurban”, duke sugjeruar se vendime të tilla nuk mund të merren pa dijeninë e niveleve më të larta politike. Ndërkohë, policia britanike ka nisur hetime ndaj Mandelson, pasi Departamenti i Drejtësisë në SHBA publikoi dokumente të reja që sugjerojnë se ai mund të ketë ndarë informacione qeveritare me Epstein gjatë kohës kur ishte ministër në qeverinë e Gordon Brown.

Qeveria britanike ka premtuar publikimin e dokumenteve të lidhura me këtë çështje, ndërsa kriza vazhdon të thellohet dhe presioni politik mbi Starmer mbetet i lartë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb