Zv.trajneri i Egnatias, Juljan Brahja, komentoi humbjen 0-2 ndaj Flamurtarit në kampionat.

“Mua më vjen shumë keq për këtë humbje, na djeg, nuk duhet të ndodhte. Futbolli i tillë është. Për t’u ndalur te ndeshja, fillim i mirë, por pësojmë një autogol, nuk di çfarë të them. Jefferson nuk ishte në një ditë të mirë, aty patëm probleme disa herë.

Më vjen keq në mënyrën si pësojmë golat, ndoshta nga vendosja jo e mirë e jona. Edhe Jaime s’kishte mundësi tjetër. Më vjen keq shumë, janë gola shumë të lehtë që mund të evitohem, nuk e di si ta shpjegoj. Janë situata dhe momente loje që ndodhin.

Unë siç e përmenda, Jefferson ka disa ndeshje që s’është aktivizuar rregullisht, ndikon. Sot mungonin edhe Aleksi me Aliyev, por s’dua t’i mëshoj shumë kësaj pjese. Kur je një kundër një, çdo lojtar driblohet. Por më vjen keq sepse u prishën ekuilibrat me daljen e Xhemajlit. Goli i dytë na bëri më nervoz, lojtarët humbin topin shumë thjeshtë, mund të shënonin edhe golin e 3-të. Por edhe ne kishim rastet tona.

Konfirmimi i largimit të Tetovës, ka ndikuar? S’ka ndikuar, sepse profesor Tetova ka komunikuar me skuadrën. Në kampionatin shqiptar është risi që deklarohet kështu 1 muaj e gjysmë përpara, por ne kemi biseduar me lojtarët, janë të vetdijshëm për detyrat. Neve nuk na falet të bëjmë gabime, na duhen pikë dhe kemi objektivat në Kupë dhe kampionat”, tha Brahja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb